TIRANË-Sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”. Petrit Qoli, nën akuzë për veprën penale të vrasjes me paramendim ka shpërthyer me akuza drejtuar prokurorit të çështjes, Behar Dibra, duke thënë se gjykata po kryen gjenocid individual dhe se ai tashmë prej dy vitesh ndodhet në burg për shkak të Nuredin Dumanit.
Qoli para gjykatës ka prekur edhe incidentin e ndodhur ndaj të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili përfundoi mbrëmjen e 6 shtatorit në urgjencën e QSUT pasi shfaqi probleme shëndetësore, pas konsumimit të karkalecave. Qoli me ironi i ka kërkuar prokurorit t'i japin Nuredinit vetë makarona.
"Po kryeni genocid individual nga padrejtësia e drejtësisë. Unë kam vetëm një siklet, infarktin. Po na shkatërroni. Jam duke vdekur nga turpi moj motër e nderuar, nuk mundet se na plasët. O prokuror po më vrisni për së gjalli. Kam familje jashtë, kam biznese, po më shkatërroni. Kam dy vite në burg për shkak të Dumanit. Më falni për tonin, por po na vdisni. O prokuror mos i jep karkaleca këtij (Nuredin Dumanit) se ky maksimumi makarona han”, mësohet të ketë thënë në seancë Petrit Qoli.
Pas tensioneve të vazhdueshme dhe kundërshtimit të deklarimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë me kërkesë të avoktëve, seanca e radhës është shtyrë më datë 18 shtator, ora 10:00.
Gjykata ka pezulluar afatin e paraburgimit për të gjithë të akuzuarit deri në seancën, e cila do të zhvillohet më 4 mars.
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin "SkyECC": 'Totorina", "Covid 19" dhe "Alcatraz". Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me "Matrix", aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol.
Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI