
BULQIZË-Një fermë bagëtish të imta në fshatin Val të Martaneshit, në njësinë administrative të Bulqizës, është prekur nga sëmundja e murtajës. Të paktën 150 krerë bagëti të imta kanë ngordhur, ndërsa rrezikohet e gjithë tufa, e cila përbëhet nga afro 700 krerë.
Mjeku veterinar pranë Operatorit të Sistemit RUDA, dega Bulqizë, Gëzim Neziri tha se janë marrë mostra nga bagëtia e ngordhur dhe janë dërguar pranë ISUV në Tiranë. Nëse rezulton nga analizat që është vërtetë sëmundja e murtajës shkak i ngordhjes, do të bëhet ekzekutimi i gjithë bagëtisë për të shmangur përhapjen në ferma të tjera. Kafshët e ngordhura në fermën në fshatin Val të Martaneshit, do të groposen sipas rregullave të përcaktuara nga Insituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.
Rasti i parë me murtajë të bagëtitë, u regjistrua në Shkodër, ku Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve raportoi se sëmundja u identifikua në një fermë të dhive në fshatin Postribë. Ferma në fshatin Domen, Shkodër, është vendosur në karantinë, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Sherbimit Veterinar në Shkodër, Sulejman Kullolli njoftoi eleminimin e bagëtive të infektuara.
Autoritetet janë në gjendje alarmi dhe po merren masa për të kufizuar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat e tjera në zonë./ZËRI