
KORÇË- Gjykata e Korçës la në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për tre dëshmitarët e vrasjes së Egli Progës. Në seancën e sotme për njohjen e masës së sigurisë, të tre të arrestuarit, Voltan Shkullaku, Arjan Manellari dhe Leonidha Guçe, mohuan të kenë ndërhyrë në serverin e kamerave të sigurisë. Ashtu si në fakt pretendohet nga Prokuroria që ende po heton ngjarjen. Prokuroria thotë se pamjet e serverit të kamerave të sigurisë së lokalit të Voltan Shkullakut janë ekspertuar në Bullgari dhe pritet edhe rikthimi i pamjeve që ishin fshirë për të fshehur dinamikën për vrasjen e Progës.
Tre dëshmitarët ishin lënë më herët në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, por sot është vendosur që të tre të lihen në burg pasi dyshohet se këta persona kanë qenë të pranishëm kur ndodhi ngjarja dhe nuk e kanë kallëzuar krimin që dëshmuan. Pas seancës, për mediat foli edhe avokati mbrojtës i tre dëshmitarëve. Në fjalën e tij, ai u shpreh se ende nuk janë njohur me aktet ndaj edhe nuk mund të japë më shumë detaje lidhur me atë që u kërkuar sot nga Prokuroria.
PRONONCIMI I PLOTË:
Avokati: Sot, Gjykata thjesht miratoi masën e sigurimit. Argumentat do i themi kur të njihemi me vendimin e Gjykatës. Qëndrimi im dihet. Nuk kemi ndonjë provë për dy të mbrojturit prej meje, që të inkriminohen apo të kenë lidhje për atë që akuzohen për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, që është diçka absurde.
Pse u ndryshua masa e sigurisë?
Avokati: Pyet gjykatën. Prova të reja sipas Prokurorisë, është një akt-ekspertimi me të cilin nuk jemi njohur, që thotë se mund të ketë patur ndërhyrje në kamera, për të dyja objektet.
A janë prishur provat nga vendi i ngjarjes?
Avokati: Nuk është ndryshuar masa e sigurisë është caktuar masë e re. Sipas Prokurorisë është një akt ekspertimi me të cilin ende nuk jemi njohur. Unë jam avokat, jo hetues, as oficer i policisë gjyqësore që të të jap përgjigje për pyetjen a ka pasur ndërhyrje.
Çfarë thonë të akuzuarit, a i kanë kryer këto veprime?
Avokati: Nuk i kam pyetur, as nuk janë marrë në pyetje. Nuk i ka thërritur njeri t’i pyesë për ngjarjen.
Pasditen e 10 gushtit në lagjen 1 të Pogradecit, 42 vjeçari Egli Proga baba i dy fëmijëve u dhunua për vdekje nga Denis Meçe, i cili u largua nga vendngjarja. Ai u arrestua vetëm disa ditë më vonë ndërsa në pranga përfunduan edhe 3 personat të cilët deklaruan se nuk kishin parë asgjë nga ngjarja e rëndë. Bashkë me të, për moskallëzim krimi u proceduan edhe Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe, Arjan Manellari. Por, sot, ata janë lënë në "burg" deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes./ZËRI