SHKODËR-Një sherr mes gjimnazistëve ka degraduar në përdorimin e armëve të ftohta tek porta e shkollës së mesme “Shejnaze Juka” në Shkodër. Paraprakisht raportohet se një grup nxënësish janë konfliktuar mes tyre për arsye ende të paqarta, ndërsa si pasojë e sherrit kanë mbetur të plagosur me thikë tre prej tyre.
Policia njofton se pas një konflikti për arsye banale, janë përfshirë në sherr me thika dy vëllezër dhe një i tretë. Të tre këta persona ndodhen në spital, por për fat të mirë jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:10, në lagjen “Kongresi i Permetit”, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta në rrugë, duke përdorur mjete prerëse, shtetasi A. K. me shtetasit F. Th. dhe K. Th. (vëllezër).
Të tre këta shtetas janë dërguar në spital, për mjekim, dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në vijim do të jepet informacion më i plotë për rastin.
Kujtojmë se ngjarja vjen pas ndarjes nga jeta më 4 dhjetor të 15-vjeçarit Erion Boba, pasi u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij në qytetin e Durrësit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalin e Durrësit, dhe më pas të atyre në QSUT, Erioni nuk ia doli, duke u bërë rasti i dytë në pak kohë, pas atij të Martin Camit, ku nxënësit vriten pas konflikteve të nisura në shkollë. /ZËRI