Aktualitet

Nga investimet në biznese te paratë me fajde, vetëdorëzim apo dorëzim i kontrolluar, çfarë ndodhi me Daniel Shimën e AKSHI-t?

Po të njëjtat burime bëjnë me dije se ai ka kërkuar para me fajde në disa pika të njohura në Shqipëri.

f.g; f.i
Nga investimet në biznese te paratë me fajde, vetëdorëzim
Daniel Shima

TIRANË- Humbja e kontakteve të ish-zyrtarit të lartë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Daniel Shima për mbi 10 orë me familjen ka mbajtur peshë opinionin publik duke ngritur pyetjen se çfarë kishte ndodhur me të. Për fat të mirë, në orët e para të mëngjesit, Policia njoftoi se Shima ishte kthyer pranë familjes.

Por çfarë ndodhi me ish-zyrtarin e akuzuar për një sërë aferash në AKSHI dhe i shkarkuar me urgjencë nga drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, një ditë pasi kjo e fundit u thirr në SPAK për tu marrë në pyetje në lidhje me tenderat e këtij institucioni.

“ZËRI” e ka ndjekur që prej momentit të parë denoncimin për humbjen e kontakteve të Shimës me familjen. Mesazhi i fundit ka qenë për partneren e tij, të cilës i ka thënë se “po më arrestojnë”.

Me të marrë këtë mesazh, ajo bashkë me të ëmën e tij kanë nisur të pyesin nëpër komisariate se ku ndodhej Daniel Shima. Atje kanë mësuar se ai nuk është arrestuar e as ndaluar nga Policia. Në këtë moment është bërë denoncimi, rreth orës 17:00 dhe nisja e verifikimit nga strukturat e hetimit pranë Komisariatit nr.1 të Policisë. Gjatë verifikimit janë parë kamerat e sigurisë ku është verifikuar se Shima ka kaluar në Qytet Studenti e më pas është ndjekur deri në dalje të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.

Pas këtij momenti ai nuk është parë më në kamerat e rrugëve. Në orën 02:00 të mëngjesit ai është paraqitur në komisariatin nr.1 ku ka deklaruar se ishte larguar vetë me dëshirë pas një sherri që ka patur me të dashurën e tij, por nuk ka sqaruar se çfarë arsyeje e detyroi të dërgonte një mesazh kaq alarmues për familjen. E në fakt ky mesazh është edhe thelbi i alertit për humbjen e kontaktit të tij.

Burime për ZËRI bëjnë me dije se që pas largimit nga AKSHI, Daniel Shima ka nisur të investojë shuma shumë të mëdha me para në disa biznese. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se ai ka kërkuar para me fajde në disa pika të njohura në Shqipëri.

A ishte ngjarja e djeshme një mesazh i thjeshtë në momente delirimi? Apo pas shkëputjes së tij 10 orëshe fshihet një gjë më e madhe? Kjo ende nuk dihet dhe pritet të marrë përgjigje në vijim. Ai është ripyetur sot nga Policia për rrethanat e zhdukjes dhe se ku ka qenë për 10 orë dhe pritet të bëhen edhe verifikime të tjera. A shkoi Daniel Shima në një bazë ku po e prisnin dhe për siguri i dha një sinjal të dashurës? Mbetet për tu parë./ZËRI

Poll

MOS HUMB