TIRANË- Ish-deputetja socialiste Blerina Gjylameti është emëruar drejtoreshë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).
Gjylameti ka qenë deputete në legjislaturën e kaluar, por në 11 Maj, ishte renditur në listën e hapur të socialistëve për qarkun e Tiranës.
Ajo e humbi mandatin në garën e ngushtë me kolegen e saj brenda partisë, Olta Xhaçka, ndërsa kërkoi më pas dhe rinumërimin e votave.
Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës, të cilat fillimisht u dekretuan dhe më pas u anuluan, ishin një tjetër mundësi që Gjylameti të merrte mandatin, por vendimi i fundit i Kushtetueses, bëri që përfundimisht ajo të mbetet jashtë Parlamentit.
Megjithatë, tashmë asaj i është besuar drejtimi i institucionit më të rëndësishëm për sigurinë ushqimore në vend.
Në verën e kaluar, AKU kaloi një proces reformimi, që synonte rivlerësimin e të gjithë inspektorëve, pas akuzave të vazhdueshme për keqmenaxhimin e këtij institucioni. Kjo lëvizje ishte paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, pas një takimi me fermerët e Cërrikut, ku u shpreh se AKU më shumë ‘prish punë’ se sa ‘rregullon’.
Kreu i qeverisë u shpreh gjatë muajit Korrik se duhet të ngrihet një Komision i Posaçëm për të marrë në analizë të gjitha burimet njerëzore të Autoritetit Kombëtar të Ushqimeve dhe procesi i bashkimit të atyre inspektorateve të ndryshme që është vendosur më ligj. /ZËRI


