TIRANË- Pas homazheve të kryera në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, për 4 viktimat e 21 Janarit, xhaxhai i Aleks Nikës, pati një komunikim të shkurtër me mediat, ku kërkoi drejtësi, dhe jo hakmarrje.
Mark Nika, u shpreh se shoqëria shqiptare pret ende për të vendosur drejtësi për 4 vrasjet gjatë protestës së 21 janarit 15 vite më parë.
Ai u shpreh se familjarët e viktimave kanë besim te SPAK, ndërsa iu drejtua edhe ambasadorëve të huaj për t’i mbështetur në betejën e tyre për drejtësi.
“Koha për sqarim të plotë. Si çdo vit për shpirtin e Aleksit nipit tim. Shpresojmë se ambasadorët e vendeve aleate të na dëgjojnë na kanë premtuar se do të na mbështesin në kërkesat tona për drejtësi. Dhe sot ky angazhim institucional është më i domosdoshëm se kurrë. Shoqëria shqiptare pret drejtësi.
Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi. Barazi para ligjit. Kujtesa nuk duhet të zhbëhet dhe përgjegjësia nuk mund të harrohet. Kemi besim te SPAK dhe gjykata e Strasburgut për drejtësi”, u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot së bashku me familjarët, 4 viktimat e 21 Janarit, në 15 vjetorin e tragjedisë. Rama tha se protestuesit nuk paraqisnin asnjë rrezik për Kryeministrin e kohës, Sali Berisha dhe nuk kishin si qëllim të merrnin godinën. “Gjithçka u zhvillua jashtë rrezes së çdo rreziku të imagjinueshëm për këtë godinë dhe lëre pastaj për VIP-in e vetëngujuar brenda saj me hordhinë e vet dhe me gjithë karafilin e tij ambulant lart në tarracë”, tha Rama.
Ai i bëri thirrje SPAK-ut të përfundojë hetimet për këtë çështje, të cilën e quajti të pakrahasueshme me çdo çështje tjetër. “Nëse drejtësia e re nuk bën drejtësi për këtë çështje, do të mbetet e vjetër”, tha Rama, duke kujtuar sërish se prokurorët dhe gjykatësit specialë paguhen më shumë se ai dhe se Presidenti Begaj. “Gjurmët mund të kenë humbur, por ujku është aty”, tha Rama. “Në krahasim me 21 Janarin, çështjet e tjera janë si kafet e Nexhmies”./ZËRI