Aktualitet

Njëri i kërkuar nga SPAK, tjetri akuzohet për trafik droge, arrestime në Gjermani e Britani (EMRAT)

Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar u ndalua 25-vjeçari Bekim Çelaj

F.I
Njëri i kërkuar nga SPAK, tjetri akuzohet për trafik droge,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Danjel Lalaj, 21 vjeç, i akuzuar nga SPAK si pjesëtar i një grupi kriminal nga Prokuroria e Posaçme, është arrestuar në Gjermani. GJKKO në vitin 2021 i ka caktuar 21-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar u ndalua 25-vjeçari Bekim Çelaj, në kërkim për kultivim të bimëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, me masë sigurie “Arrest në burg” që prej vitit 2022.

Njoftimi i policisë:

Kapet në Gjermani, një shtetas i akuzuar nga SPAK, si pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e narkotikëve. Kapet në Mbretëri të Bashkuar, një shtetas i akuzuar për kultivim të bimëve narkotike dhe për armëmbajtje pa leje.

Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, mbi vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe shkëmbimit të këtyre informacioneve nëpërmjet Interpol Tiranës, në kohë reale, me partnerët në Gjermani dhe në Mbretëri të Bashkuara, u mundësuan:

-kapja në Gjermani, e shtetasit D. L., 21 vjeç, i lindur në Pukë, pasi GjKKO-ja, në vitin 2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;

-kapja në Mbretëri të Bashkuar, e shtetasit B. Ç., 25 vjeç, i lindur në Tropojë, pasi Gjykata në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e 2 shtetasve, në Shqipëri./ZËRI

Poll

MOS HUMB