Aktualitet

'Pagova 9.200€'! Çuan qentë në qendrën “Dog Training Desy", por nuk i morën mbrapsht: Çifti i pronarëve na bëri bllok

Sipas saj, të gjitha pagesat janë kryer përmes Western Union, ndërsa prej disa ditësh ajo nuk ka më asnjë informacion për fatin e qenve.

F.I
'Pagova 9.200€'! Çuan qentë në qendrën
denoncuesit

TIRANË-Një rast i rëndë mashtrimi është denoncuar ditët e fundit nga qytetarët në lidhje me një qendër trajnimi të kafshëve. Sipas denoncimeve qytetarët kanë dërguar për trajnim qentë e tyre në një qendër të quajtur “Dog Training Desy”, me administratorë Gentian Sejdini dhe bashkëshorten e tij Rozalina Sabli, por edhe pse pagesat prej mijëra eurosh janë kryer, klientët nuk i kanë marrë mbrapsht kafshët e tyre. 

Rreth një javë më parë një qytetar ngriti shqetësimin lidhur me zhdukjen e qenushit të tij. Në një denoncim për JOQ, ai ka dërguar qenin e tij për trajnim në një qendër të quajtur “Dog Training Desy”. Për shërbimin e trajnimit, ai ka paguar shumën prej 650 euro.

'Dua ndihmë për të gjetur qenin tim Lordi, të cilin ja dhashë një djali me emrin Genti, kundrejt një shume prej 650 eurosh, për të ma trajnuar jo për të ma mbajtur dhe për të mos ma kthyer më kurrë, u bënë katër muaj dhe nuk dihet fati i qenti tim,"-shprehet qytetari.

Pas dorëzimit të qenit, pronari shprehet se ka hasur vështirësi të vazhdueshme për të marrë informacion mbi gjendjen e kafshës. Ai pretendon se nuk i është lejuar asnjëherë ta takojë qenin dhe se administratorët e qendrës kanë shmangur vazhdimisht kontaktin me të. Sipas qytetarit, herë pas here i është thënë se administratorët ndodheshin në spital për arsye shëndetësore dhe se do ta kontaktonin sapo të kishin mundësi, për t’i dërguar edhe video të qenit. Pasi ka insistuar sërish për të komunikuar dhe për të marrë qenin e tij mbrapsht, qytetari thotë se është bllokuar në të gjitha rrjetet sociale.

Katër ditë nga denoncimi i banorit, Policia e Durrësit shpalli në kërkim administratorët e kësaj qendre trajnimi. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në kërkim janë shpallur shtetasit G. S., 40 vjeç, dhe R. S., 35 vjeçe, bashkëshortë dhe banues në Durrës. Ata akuzohen për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës shpallën në kërkim shtetasit G. S., 40 vjeç, dhe R. S., 35 vjeçe, bashkëshortë, banues në Durrës, të cilët administrojnë një qendër trajnimi për qen, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”. Ndaj tyre kanë kallëzuar shtetasit R. I. dhe M. D., se janë mashtruar, duke dërguar qentë e tyre për trajnim dhe nuk i kanë marrë më. Punohet për kapjen e tyre dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Por teksa çifti vijon në kërkim, rastet e denoncimeve në lidhje me qendrën janë shtuar. Një shtetase zviceriane ka denoncuar një rast tjetër mashtrimi nga “Dog Training Desy”. Sipas denoncueses, i kanë marrë shumën 9 200 euro për trajnimin dhe mbajtjen e qenve të saj.

"Adresa e tyre e instagramit ‘Daisy k9 Dog Trainer Albania’ është fshirë. U kam paguar në total më shumë se 9200 euro për mbajtje dhe kujdesin e qenëve të mi.Prej dy javësh ata kanë ndëerprerë çdo komunikim me mua. Nuk di anjë gjë kur mund t’i marr në Durrës dhe nëse janë ende gjallë,"-denoncon shtetësja zvicerane.

Sipas saj, të gjitha pagesat janë kryer përmes Western Union, ndërsa prej disa ditësh ajo nuk ka më asnjë informacion për fatin e qenve. Çdo përpjekje për të kontaktuar administratorët për t’i marrë qentë ka dështuar, pasi është bllokuar në çdo formë komunikimi dhe nuk ka arritur të ketë asnjë përgjigje prej tyre.

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur me kafshët që dërgoheshin në këtë qendër dhe për çfarë shrytëzoheshin ato. Në lidhje me rastet ZËRI i është drejtuar me një kërkesë informacioni Policisë Tiranë dhe Durrës, nëse ka nisur një hetim dhe detaje të tjera rreth kësaj skeme mashtrimi./ZËRI

Poll

MOS HUMB