TIRANË- Kryeministri Edi Rama ishte këtë të hënë, në parkun eolik të Tropojës, bashkë me ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, si dhe të dërguarën e SHBA-ve në vendin tonë, Nancy VanHorn. Parku me kapacitet të pritshëm prej 600 MË po zhvillohet nga kompania amerikane CËP.
Rama tha gjatë fjalës së tij se projekti është tepër i rëndësishëm edhe për prioritetin kryesor të Shqipërisë, integrimin në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë shtoi se projekti do të jetë realitet për 12 muaj, ndërsa nënvizoi se vendi ynë synon që të bëhet një shtet me pavarësi energjitike.
“Më vjen shumë mirë që finalizojmë një përpjekje rreth 2-vjeçare, me kompaninë e mirënjohur amerikane, për gjithë procesin parapërgatitur, që është më i shkurtër se procesi i ndërtimit. Ne shpresojmë që gjithçka të shkojë siç duhet dhe për 12 muaj, ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë të rinovueshme në vendin tonë. Unë kam shumë besim se do përfitojmë edhe besim e vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe veprimit, në një sektor strategjik si sektori energjitik. Investimi ndihmon në objektivin tonë strategjik, integrimin në BE.
Nuk ka një kompani të vetme serioze, që ka marrë pjesë në garë për të marrë përsipër projektin, lidhur me integritetin e garës. Kompania na ka bërë përshtypje të veçantë në sensin e përgjegjësisë sociale, në ndjeshmërinë e saj ndaj mjedisit. Sot Shqipëria është në një nivel krejt tjetër. Sot është një Shqipëri krejt tjetër. Nuk e besoj se ndokush do e imagjinonte se Shqipëria do bashkëpunonte me vende tepër të zhvilluara në projekte kaq madhore. Ne prodhojmë energji më shumë nga se ka nevojë tregu i brendshëm. Synojmë të bëhemi vend me pavarësi energjitike”, tha Rama.
Ndërkohë që Belinda Balluku, e cila iu është rikthyer daljeve të saj publike, në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e saj, tha se sektori i energjisë në Shqipëri është duke hyrë në një fazë të re.
“Ky projekt dëshmon se sektori energjitik shqiptar po hyn në një fazë të re ku investimet private dhe ato të huaja direkte po shndërrohen në një motor rritjeje. E nisëm rrugëtimin në vitin 2018, kur për herë të parë qeveria shqiptare foli për një strategji që do të bazohej në diversifikimine burimeve, jo më me varësi nga hidrocentralet e ndërtuara gjatë kaskadës së Drinit apo edhe ato të jugut, por një skemë e re energjitike që do bazohej mbi krijimin e burimeve alternative ashtu siç ishin ato të energjisë diellore e më pas eolike”, deklaroi ajo.
Balluku tha se mbi 1.5 miliardë euro investime private janë angazhuar ose janë në proces në sektorin e energjisë. Ndërsa 2 miliardë euro investime private janë përqendruar në burimet e rinovueshme.
“Kemi edhe një portofol projektesh që në vitet e ardhshme pritet të çojë kapacitetet e reja prodhuese të rinovueshme të vendit më tej se 1 500 MWh me teknologji fotovoltaike dhe eolike. Kemi edhe 1 600 MËh kapacitete të reja depozituese në fazë studimi dhe vlerësimi financiar. Vetëm në energjinë diellore, Shqipëria ka kaluar nga projektet pilot në impiante të mëdha”, u shpreh Balluku.
“Në energjinë e erës, për herë të re po hyjmë në fazën e realizimit të projekteve konkrete. Kjo nuk është rastësi, vjen në bazë të një strategjie. Ky event sot shpresoj të jetë një ogur i mirë edhe me diellin që ka dalë pas një situate sfiduese që ka të bëjë me reshjet e shiut, por mbi të gjitha me ndryshimet klimaterike që kanë prekur të gjithë rajonin. Shqipëria po investon edhe në linjat e transmetimit, që tashmë lidhen me të gjithë fqinjët tanë. Po ndërtojmë themelet e një sistemi energjitik që do u shërbejë brezave të ardhshëm, që ka në qendër qëndrueshmërinë, furnizon ekonominë dhe na afron sa më shumë me BE-në”, tha mes të tjerave Balluku në fjalën e saj. /ZËRI