
DURRËS-Katër persona janë arrestuar ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për konfliktin e ndodhur pasditen e djeshme (3 prill) në Durrës, ku u konfliktuan fizikisht disa persona pas një aksidenti automobilistik. Në pranga janë vendosur tre vëllezërit Altin, Edison dhe Robert Kraci dhe 22-vjeçari Agim Hasanbelliu.
Nën hetim është vënë edhe administratori i lokalit në afërsi të të cilit ndodhi konflikti, pasi hoqi DVR-në e kamerave të sigurisë. Ndërkohë në kërkim është shpallur edhe një 63 vjeçar, shofer në një nga automjetet e aksidentuara për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Fillimisht 63-vjeçari me inicialet B.H është përplasur me automjetin me drejtues Altin Kraci, i cili po udhëtonte bashkë me vëllezërit e tij Edison dhe Robert Kraci. Pas përplasjes, janë përfshirë në konflikt fizik, Altin Kraci dhe 2 vëllezërit e tij me shoferin e automjetit tjetër dhe Agim Hasanbelliun.
Njoftimi i policisë:
U konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin, pas përplasjes së 2 automjeteve, vihen në pranga 4 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Procedohet administratori i lokalit në afërsi të të cilit ndodhi konflikti, sepse hoqi DVR-në e kamerave të sigurisë së lokalit. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të konfliktit të ndodhur pasditen e djeshme, në lagjen nr. 13, Durrës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. K., 42 vjeç, E. K., 36 vjeç dhe R. K., 32 vjeç (vëllezër), për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim;
A. H., 22 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Deklarimi i rremë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”;
-shpallën në kërkim shtetasin B. H., 63 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës”;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Zh., 35 vjeç, banues në Durrës, administratori i një lokalit përpara të cilit ka ndodhur konflikti, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Dje, rreth orës 18:50, automjeti me drejtues shtetasin B. H. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. K. Pas përplasjes, janë përfshirë në konflikt fizik, shtetasi A. K. dhe 2 vëllezërit e tij me shtetasit B. H. dhe A. H.
Shtetasi A. H., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, nuk ka treguar për rrethanat e konfliktit dhe për shtetasit e përfshirë, ndërsa shtetasi A. Zh. ka hequr dhe ka fshehur DVR-në e kamerave të sigurisë së lokalit, me qëllim që të pengonte veprimet hetimore të Policisë. Vijon puna për kapjen e shtetasit B. H. dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./ZËRI