Aktualitet

Pas mishit të pulës, fileto derri me salmonelë! “Frigo ALBA” e futi në treg, AKU e fsheh

Skandali vijon të thellohet kur AKM njofton zyrtarisht se subjekti “Frigo ALBA” nuk ka bërë asnjë kërkesë për asgjësimin e mishit me salmonelë.

F.I
Pas mishit të pulës, fileto derri me salmonelë! “Frigo
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Skandali me mishin me salmonelë vijon të thellohet. Në Shqiperi ka hyrë 4516.75 kg fileto derri me salmomelë. Subjekti importues i mishit është “Frigo ALBA”me administrator Luan Jazexhiu dhe Ledio Koka. Skandali i publikuar “u tentua të zbutet” nga AKU me arsyetimin se ky mish do të asgjësohet.

Por çfarë ka ndodhur konkretisht?

Nga një investigim i ‘Ora News’ rezulton se AKU po tenton të fshehë destinacionin final të mishit me salmonelë. Në një përgjigje nga ky institucion bëhet me dije se asgjësimi është kryer në datën 23 prill, ndërkohë që në datën 29 prill AKU shprehej se ky proces nuk ka përfunduar.

Praktikisht dy përgjigje të ndryshme për të njëjtën procedurë. AKU refuzon t’i vendosë në dispozicion medias dhe publikut foto dhe video nga groposja e mishit me salmonelë. Skandali vijon të thellohet kur AKM njofton zyrtarisht se subjekti “Frigo ALBA” nuk ka bërë asnjë kërkesë për asgjësimin e mishit me salmonelë.

Inspektorë e Mjedisit duhet të jenë prezent në këtë procedurë për të vërtetuar që mishi është asgjësuar, por ato nuk kanë dijeni për groposjen e 4516.75 kg fileto derri me salmomelë. Zyrtarisht nuk ka prova se ky mish është asgjësuar. Burime shprehen se janë bërë tentativa për ta hedhur mishin me salmonelë në treg duke e shitur nën kosto.

Teksa ende nuk dihet ku ka përfunduar mishi me salmonelë, raste të konsumatorëve të infektuar janë bërë publike. Së fundmi 17 fëmijë që frekuentonin kopështin nr.1 në Gramsh ku dhe ndodhi helmimi masiv, rezultojnë të jenë të infektuar me salmonelë. Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se nga analizat e kryera ndaj 79 fëmijëve, 17 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me ‘Salmonella Enteritidis’.

Raportimi vjen dy muaj pasi u zbulua skandali me mishin e pulës me salmonelë, ku 15.000 kilogramë u konsumua nga qytetarët. Gati 20 tonë mish pule e importuar nga Brazili mbërriti në Portin e Durrësit më 11 Mars, dhe pas analizave të kryera pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë më 21 Mars, u konfirmua prania e bakterit të rrezikshëm në mishin e ngrirë të pulës. Mishi u shpërnda në treg nga kompania “diMal” dhe 'AMG FOOD'. Sipas analizave të kryera në ISUV, u zbulua se mishi ishte infektuar me "Salmonella Typhimurium", por që në këtë kohë, mishi ishte shitur. 

Poll

MOS HUMB