TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rihapur gjykimin për Arben Frrokun, i dënuar përjetë për vrasjen e komisariatit Dritan Lamaj. Mësohet se seanca për Frrokun do të mbahet më 17 shkurt, në orën 10:00.
Në shkurt të vitit 2025, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi që të rihapet dosja e Arben Frrokut, me argumentin se procesi gjyqësor ndaj tij përmban shkelje të të drejtave të njeriut. Vendimi unanim i Strasburgut detyron shtetin shqiptar të rihapë çështjen në këtë gjykatë, duke i dhënë Frrokut mundësinë për një shqyrtim të ri.
Arben Frroku është dënuar nga Gjykata e Apelit me burg përjetë për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në shkurt të 2013, por asnjëherë nuk e ka pranuar këtë krim. Në Prill të 2015-s, Arben Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pasi doli nga qelia, Frroku u largua nga Shqipëria ditën që Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë dhe vendosi dënim me burgim të përjetshëm për Arben Frroku.
Ky i fundit u kap në Holandë me pasaportë false, disa muaj më vonë, dhe Gjykata e Holandës vendosi për ekstradimin në Shqipëri të Arben Frrokut, por ai deklaroi se nuk duhet të ekstradohet drejt vendit të tij, sepse kërcënohej nga gjakmarrja./ZËRI