Aktualitet

Përfundojnë hetimet/ SPAK çon për gjykim Metën, Kryemadhin dhe 3 të tjerë

Skema korruptive, pastrim parash dhe shfrytëzim i pushtetit, ja për çfarë akuzohen ish-presidenti Meta dhe Monika Kryemadhi

Redaksia Zëri
Përfundojnë hetimet/ SPAK çon për gjykim Metën,
Pamje ilustruese nga SPAK

TIRANË-Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për Ilir Metën dhe ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme.

Siç bëhet me dije nga SPAK, pas përfundimit të hetimeve më 29.08.2025 është dërguar në gjykatë procedimi penal nr. 55/2019, në ngarkim të të pandehurve: Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi.

Gjithashtu, mësohet se ky procedim penal është rezultat i një hetimi intensiv, i cili ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme ndërkohë që në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.

“Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas përfundimit të hetimeve, më 29.08.2025 ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal nr. 55/2019, në ngarkim të të pandehurve:

Ilir Meta, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,“Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 të Kodit Penal.

Monika Kryemadhi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në dy raste të kryera në bashkëpunim,“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim , “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 të Kodit Penal.

Pirro Xhixho, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.

Ema Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Fatime Kryemadhi, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Ky procedim penal është rezultat i një hetimi intensiv, i cili ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.

Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.

Episodet e dokumentuara tregojnë subjektet e procedimit, të cilët në bashkëpunim mes tyre janë përfshirë në kryerjen e veprave penale të përmendura më sipër. Episode të detajuara në lidhje me akuzat e ngritura dhe faktet penale të kryera nga të pandehurit, mund ti gjeni në Njoftimin për Shtyp, i publikuar në faqen zyrtare të SPAK: NJOFTIM PËR SHTYP Datë 21.10.2024 – spak.gov.al

Për hetimet e kryera, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bashkëpunuar me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros./ZËRI

Poll

MOS HUMB