TIRANË- Sot mbyllet afati për aplikimin për garën e postit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Deri më tani mësohet se janë dorëzuar dy aplikime, drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela dhe drejtori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në DPPSH, Pëllumb Seferi. Në orët në vijim pritet të dorëzojnë aplikim edhe emra të tjerë, përfshirë drejtorin e Policisë së Fierit, Skënder Hitaj, i Durrësit, Afrim Tafa, drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Në garë pritet të jenë edhe drejtues të tjerë.
Përzgjedhja për kreun e Policisë së Shtetit bëhet në bazë të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë. Fillimisht Komisioni i Posaçëm kryen verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).
Në fund të këtij procesi, Komisioni i Posaçëm i dorëzon në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar. Më pas Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave kandidaturat dhe vendimi merret nga qeveria.
Lidhur me kriteret, kandidatët duhet të kenë një nga gradat e rolit të mesëm drejtues, të jenë shtetas shqiptarë, të mos kenë dënime penale të formës së prerë dhe të mos kenë masa disiplinore të rënda në pesë vitet e fundit. Po ashtu, kërkohet gjendje e përshtatshme shëndetësore dhe mungesë konflikti interesi, sipas legjislacionit në fuqi.
Kujtojmë që me largimin e Prodës, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar zëvendësdrejtori Sokol Bizhga./ZËRI