
ELBASAN-Është arrestuar në Cërrik personi i tretë i shpallur në kërkim në lidhje me sekuestrimin e 1 ton kanabis në Pejë. Në pranga është vendosur Engjëllush Ibrahimi, 39 vjeç. Autoritetet pritet të nisin procedurat për ekstradimin drejt Kosovës.
Ndaj Ibrahimit, Gjykata e Pejës ka caktuar masën ‘arrest me burg’ për 2 akuza “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit" dhe "Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge".
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të punës, ndërmjet Komisariatit të Policisë Cërrik dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimin në Kosovë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Engjëllush Ibrahimi, 39 vjeç, banues në Cërrik.
Gjykata Themelore e Pejës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit" dhe "Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge", parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Në lidhje me laburatorin e kanabisit të zbuluar në Pejë, është vënë në pranga në Elbasan, Erion Etemaj dhe Albano Saliu. Në lidhje me ngjarjen Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim edhe një person tjetër nga Shqipëria, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rastin e laboratorit të drogës. Bëhet fjalë për Eldi Mykaj./ZËRI