DURRËS-Detaje të reja kanë dalë në lidhje me plagosjen e ndodhur dje në Hamallaj të Durrësit, në kompleksin turistik Valamar ku një 28 vjeçari Lirdon Rada u plagos rëndë nga Altin Lekëgegaj për një vend parkimi.
Burimet bëjnë me dije se pas krimit autori 44 vjeçar u largua nga vendi i ngjarjes me një automjet “Toyota Yaris”, ndërsa i plagosuri ndodhet në spitalin e Durrësit në gjëndje të rëndë për jetën, pasi ka marrë plumb në brinjë dhe nuk mund të transportohet drejt Truamës.
Policia njofton se në pranga janë vënë Alfons Lekgegaj dhe Armen Sabliqi ndërsa në kërkim u shpallën Altin Lekgegaj dhe Serxho Lekgegaj dhe janë sekuestruar dy thika, që do përdoren si prova materiale për zbardhjen e hetimeve.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në Hamallaj, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar, gjatë një konflikti me sende të forta e më pas me armë zjarri, për parkimin e një automjeti.
Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë.
Sekuestrohen dy armë të ftohta (thika) dhe prova shkencore që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së ngjarjes.
Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Hamallaj, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. L., 37 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
A. S., 18 vjeç, banues në Borakë, Shijak, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
A. L., 44 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
S. L., 21 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në fshatin Hamallë Sektor, Njësia Sukth, Durrës, në zonën e bregut të detit Adriatik, shtetasi A. L., 37 vjeç, në bashkëpunim me vëllanë e tij A. L., 44 vjeç, si dhe nipin e tij S. L., pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin L. R., që lidhej me parkimin e automjetit përpara zonës së plazhit të A. L., 37 vjeç, konflikt i cili fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas duke përdorur armë zjarri që e mbante pa leje, ka tentuar të vrasë shtetasin L. R., 28 vjeç, banues në Kolesjan, Kukës.
Nga të shtënat, 28-vjeçari ka pësuar dëmtime shëndetësore dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën sende të forta si bishta druri të përdorur në konflikt.
Në vijim të punës për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit të arrestuar A. S., u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale dy thika, të cilat ai i mbante pa leje.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e të dyshuarve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.