TIRANË- Një përplasje e fortë ka ndodhur në Gjykatën e Posaçme mes Erion Alibejt dhe Nuredin Dumanit, teksa diskutohej në lidhje me masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë 3 persona.
Alibej është shprehur se Dumani e ka mashtruar në lidhje me masakrën, për shkak se nuk i ka treguar se ka qenë i përfshirë edhe vëllai i tij, Dashnori. Por i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani është shprehur se ai nuk e ka ditur përfshirjen e vëllait të tij në këtë ngjarje, dhe kërkoi që Alibej të kërkonte falje në lidhje me deklaratat e bëra.
Alibej: Nuredini nuk më pranoi që vëllai i tij të ishte në ngjarje. Nuk e di, mbase ishte ndonjë hatërmbetje me vëllanë e tij
Nuredin Dumani: Ky është mashtrim zonja gjyqtare. Mos e bëj atë gabim, mos e përmend më.
Në këto kushte, Dumani është nxjerrë jashtë nga salla e gjyqit, në mënyrë që të shmangej përplasja me Alibejn. Por teksa dilte nga salla Dumani vijoi me ofendime ndaj Erion Alibaj e madje duke tentuar të konfrontohet me të fizikisht.
"Të degjeneroj … o të … do me më nxjerr m’u mashtrues…”, citohet të ketë thënë Dumani gjatë tentativës për t’u konfrontuar me Alibejn.
Edhe Alibej iu kthye me disa fjalë që nuk u dëgjuan, por ka qenë ndërhyrja e oficerëve të mbrojtjes së dëshmitarëve që shmangu konfrontimin fizik mes bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Ç'ndodhi në Bradashesh?
Tre ditë para ndryshimit të viteve në dhjetor të 2018-ës, 3 persona, mes tyre edhe një shtetas turk, u vranë me breshëri kallashnikovi brenda makinës tip “Range Rover”. Dy shqiptarët e vrarë ishin Endrit Alibej 34 vjeç; Arben Dylgjeri, 56 vjeç, të dy kushërinj me njëri-tjetrin dhe Erdal Durunay, 51 vjeç. Në shtator të 2020, në prangat e Policisë ra Erion Alibej, vëllai i Endritit. Ai akuzohet se ka urdhëruar dhe organizuar vrasjen e Emiljano Ramazanit, Regis Runajt dhe Bujar Çelës.
Pasi iu vra vëllai, Erion Alibej kishte nisur një “fushatë spastrimi” për t’u hakmarrë. Ai u arrestua nga Policia më shtator të vitit 2020 për porositjen e vrasjes së 2 personave në Korrik, Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Po ashtu, Alibej është i dyshuar kryesor edhe për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës, pranë të njëjtit vend ku u qëllua pak ditë para ndërrimit të viteve Endriti. Mirëpo ironia qëndron në faktin se për të gjithë këto vrasje ka paguar Nuredin Dumanin, të njëjtin person që dyshonte se i kishte vrarë vëllain.
Nga hetimet e SPAK rezulton se autorët të masakrës së Bradasheshit, ku u u vranë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay, janw Franc Gargely alias Franc Çopja dhe Franc Copja, në rolin financuesit dhe porositësit. Mikael Qosja alias Kel Kamami dyshohet të ketë patur rolin e organizatorit në ngjarje, Talo Cela ka parur rolin e organizatorit të grupit të tij të vrasësve me pagesë dhe ka qenë shofer i automjetit në momentin e krimit.
Altin Ndoci dhe Besmir Haxhia kanë qenë ekzekutorë. Besmir Haxhia u vra më vonë me urdhër të Erjon Alibej bashkë me vëllain e tij Viktor Haxhinë. Dashnor Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani ka patur rolin e pjesëmarrësit në ngjarje, Eljo Bitri, rolin e vëzhguesit. Të njëjtin rol ka patur dhe Emiljano Ramazani i cili po ashtu është ekzekutuar me urdhër të Erjon Alibej./ZËRI



