Aktualitet

FOTO-EMRAT/ Policia aksion në një lokal në Tiranë, arrestohen 2 shpërndarësit e kokainës, grupi përgjohej prej 3 muajsh

Dy prej tyre u kapën me një sasi të konsiderueshme kokaine me qwllim shitjen, ndërsa dy të tjerë nuk kallëzuan krimin. 

zh.ll
FOTO-EMRAT/ Policia aksion në një lokal në Tiranë,
Armet Latifaj dhe Gëzim Pashaj

TIRANË- Katër persona janë arrestuar në Tiranë pasi u kapën në flagrancë në një lokal. Dy prej tyre u kapën me një sasi të konsiderueshme kokaine me qëllim shitjen, ndërsa dy të tjerë nuk kallëzuan krimin. Të arrestuarit janë Armet Latifaj 25-vjeç, Gëzim Pashaj 30-vjeç, Petros Koronoias 18-vjeç dhe Jastin Zaimi 18-vjeç, këta të fundit janë të dy shtetas grekë. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan 1 kg e 65 gram kokainë, dy automjete tip “Benz”, katër aparate celularë dhe një shumë parash, të gjitha të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Mësohet se grupi i trafikantëve të kokainës po mbahej në përgjim nga Antidroga e Tiranës prej më shumë se 3 muajsh. 30-vjeçari Gëzim Pashaj, rezulton i dënuar për drogë në Zvicër, ndërsa gjatë viteve të fundit jetonte në Greqi. Së fundmi, kishte ardhur në Shqipëri më dy shokët e tij grekë, të cilët gjithashtu u arrestuan. Siç bën me dije policia, Gëzim Pashaj dhe Armet Latifaj përdornin automjetet e tyre tip “Benz”, për transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike. Ata përdornin automjete të ngjashme, tip "Benz C-Class" ngjyrë e bardhë, me qëllim konfuzimin e policisë.

Njoftimi:

Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Tëins”.

U kapën në flagrancë në një lokal me një pako me lëndë narkotike kokainë, vihen në pranga 4 shtetas.

Sekuestrohen 1 kg e 65 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 2 automjete tip “Benz”, 4 aparate celular dhe një shumë parash.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Tëins”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-A. L., 25 vjeç, G. P., 30 vjeç, P. K., 18 vjeç dhe J. Z., 18 vjeç.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një lokal në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasit A. L dhe G. P, të cilëve iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen. Ndërsa shtetasit P. K dhe J. Z, shtetas grek, nuk kanë kallëzuar për krimin, shokë me 2 të arrestuarit e lartpërmendur.

Më tej, nga hetimet ka rezultuar se shtetasit A. L. dhe G. P. përdornin automjetet e tyre tip “Benz”, të ngjashme me njëra-tjetrën, për transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, me qëllim konfuzimin e Policisë.

Lënda narkotike, së bashku me 2 automjetet, celularët e shtetasve të arrestuar, dhe një shumë parash, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB