Aktualitet

Kandidati i PD në Lezhë, Gjin Gjoni vihet nën hetim

Rasti u denoncua nga kreu i PS në Lezhë Ermal Pacaj, teksa bëri me dije se gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS

F.I
Kandidati i PD në Lezhë, Gjin Gjoni vihet nën hetim
Gjin Gjoni

LEZHË-Policia e Lezhës ka nisur hetimin për shpifje në gjendje të lirë për kandidatin e Partisë Demokratike në Lezhë, Gjin Gjoni. Ky i fundit publikoi në rrjetin social Facebook emrat e 5 përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe i akuzoi se ata po blejnë vota dhe po intimidojnë zgjedhësit. 

POSTIMI I GJIN GJONIT:

Denoncim publik: Kriminelët elektoral janë aktivizuar – Drejtësia të veprojë me urgjence! Me afrimin e datës së zgjedhjeve, po shfaqen gjithnjë e më hapur elementë që po përpiqen të deformojnë vullnetin e qytetarëve përmes blerjes së votës. I bëj thirrje publike SPAK dhe organeve të drejtësisë të veprojnë menjëherë ndaj këtyre personave, për të shmangur përplasjet dhe tensionet që mund të lindin. Ne nuk do të lejojmë që demokracia të nëpërkëmbet – kushdo që do tentojë të prekë votën e lirë do të na ketë përballë!

Njerez nga vetë Partia Socialiste me informojnë se këta janë disa prej emrave që janë pjesë e përpjekjeve për blerje votash dhe intimidim të qytetareve:

 • Denis Pervathi – Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Lezhë po vepron në Kolsh

 • Eraldo Smaçi – Drejtor i IVMT në Bashkinë Lezhë po vepron në Zejmen

 • Paulin Gjergji – Drejtor i Emergjencave në Bashkinë Lezhë po vepron në Balldre

 • Rigels Nicaj – Zyrtar i Partisë Socialiste po vepron në Ishull-Lezhë

 • Fred Pervathi – Shofer ambulance po vepron në Manati

 • Agim Prendi – Zyrtar i PS po vepron në Zejmen

 • Emirjan Lazri – Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor po vepron në Dajç

Këta individë dhe të tjerë që do ti denoncojmë me zë dhe figure më ditet në vijim duhet të hetohen pa vonesë dhe të vihen para drejtësisë, pasi ne jemi të vendosur që vullneti i qytetareve të mos tjetersohet siç ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara”, shkruante Gjin Gjoni më 4 maj.

Rasti u denoncua nga kreu i PS në Lezhë Ermal Pacaj, teksa bëri me dije se gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme, përfshirë disa drejtues shtabesh.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpifja”, për shtetasin Gj. Gj., 55 vjeç, banues në Lezhë, kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi kanë kallëzuar shtetasit D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N. (përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste”), se 55-vjeçari ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një postim, nëpërmjet të cilit shpif se 5 shtetasit janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish.

Hetimi ndaj tij vjen në një kohë kur fushata në Lezhë është e tensionuar. Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Ermal Pacaj ka depozituar një kallëzim në Policinë e Lezhës, pasi pretendon se njerëz të Partisë Demokratike kanë kërcënuar me armë babain e kandidates së Partisë Socialiste, Klotilda Ndreca.

Në lidhje me rastin vetë kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni zbuloi se opozita, edhe në këto zgjedhje, ka ngritur ekipe vullnetare për të mbrojtur votën. Në një prononcim para mediave, Gjin Gjoni tha se dje kishin marrë informacione se po zhvilloheshin takime, ndaj edhe kishin shkuar në terren, duke theksuar se nuk ka pasur në asnjë moment armë zjarri. Po ashtu, pretendon se së fundmi qytetarët po dërgojnë pranë tij informacione lidhur me krimet zgjedhore që sipas tij kanë gjetur terren në Lezhë./ZËRI

Poll

MOS HUMB