TIRANË- Tensionet në Rrjoll të Velipojës kanë vijuar prej më shumë se një muaj, me banorët e zonës, të cilët janë ngritur në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz. Ndërkohë, mbrëmjen e sotme, banorët e Rrjollit janë mbledhur në një protestë para Parlamentit të Shqipërisë, të mbështetur nga Partia Mundësia.
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili u përjashtua nga seanca plenare që po zhvillohet aktualisht në Kuvend, ka organizuar protestën në kryeqytet për pronën. Protestës i janë bashkuar edhe qytetarët e Durrësit, të cilët kundërshtojnë projektin TID. Këta të fundit gjithashtu pretendojnë se po u rrëmbehet prona nga shteti dhe oligarkët.
Shehaj mori pjesë sot në protestën për pronat para Parlamentit, duke denoncuar grabitjen e tokave nga pushtetarë dhe oligarkë të lidhur me njëri-tjetrin. Ai shtoi se grabitja e pronave nuk ndalet as për ata qytetarë që posedojnë certifikata pronësie, teksa përgëzoi protestuesit e Rrjollit dhe ata të Durrësit për qëndresën.
Agron Shehaj: Qytetarët po vuajnë nga rrëmbimi i pronës. Është e pabesueshme se si në 2026 një parti politike duhet të organizojë për herë të parë një protestë kundër rrëmbimit të pronës. Nuk jemi në 45-ën kur pronat vidhehshin nga komunistët, jemi në 2026 dhe prona vijon e vidhet e kjo është e papranueshme.
Iu është vjedhur pronarëve legjitimë, ose më mirë nuk u është njohur kurrë. Sot po u vidhet edhe atyre që kanë certifikata pronësie.
Duhet të përgëzoj të gjithë protestuesit e Rrjollit dhe ata të Durrësit, po na frymëzoni të gjithëve. Kurrë nuk kishte ndodhur pavarësisht grushteve, të fortëve me kapuç, shkopave të gomës që i rrahin qëndrojnë aty, ata nuk dorëzohen. Jeni frymëzim për të gjithë shqiptarët.
Ne na keni në krah, për çështjen e pronës na keni në krah.
Ndërkohë që ju duroni dhunën e policisë private, ndërkohë që ju përplaseni me olgarkët, Parlamenti, partitë politike me kë janë? Janë me ata, kanë qenë me ata këto 35 vjet dhe nuk e hapin gojën jo vetëm se janë ortakë por sepse gënjejnë. Nuk ka resort në Jug që nuk ka deputetë, ministra, politikanë, zyrtarë me nga një vilë sepse ju kanë shitur dhe vazhdojnë ju shesin.
Vijnë na thonë që nuk keni letra, nuk keni se nuk ua kanë dhënë ua kanë mohuar. Nuk ka shqiptarë që nuk ka një histori dhimbje një kalvar me çështjen e pronës.
Incidentet të rënda janë regjistruar gjatë protestave në Rrjoll, ku protestuesit janë përplasur edhe me forcat e Policisë së Shtetit dhe të policisë private 'Breçani Security'. Banorët e zonës e cilësojnë këtë ndërtim si një grabitje të pronës së tyre nga kompania "Gener 2". Ata thonë se disponojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë, me vendim gjykate të vitit 2006.
Resorti turistik do të ndërtohet në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër, me një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me vëllezërit e tij, Astrit dhe Ahmet Ulaj, morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje”, për ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo” në bregdetin e Velipojës./ZËRI