TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli sot vendimin për shkarkimin nga detyra të ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka. Trupi gjykues i përbërë nga kryesuesja Natasha Mulaj, relatorja Mimoza Tasi dhe anëtarët Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, në përfundim të gjykimit, vendosi në mënyrë unanime ndryshimin e vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Aurel Zarka.
Ish-prokurori Aurel Zarka u deklarua fajtor më 20 maj të 2024 për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm të kryer në bashkëpunim dhe u dënua me 4 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Sipas SPAK-ut, prokurori Zarka dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje që lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.
Interesi kryesor i të pandehurve duket se lidhej me çështjen penale të njohur si “Toyota Auris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove ‘cash’ të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika. Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Çani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri, ndërsa u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi.
Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2024, si rrjedhojë e të dhënave të përftuara nga aplikacioni Sky ECC, SPAK arrestoi prokurorin e Vlorës Aurel Zarka, avokatin Radovan Çela, Astrit Vladin – vëllain e Elvis Vladit – dhe shpalli në kërkim hetuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eriona Daupaj.
Sipas SPAK-ut, prokurori dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme dhe që lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve./ZËRI