TIRANË-Është vendosur në pranga autori i plagosjes së 40-vjeçarit, Mariglen Jata, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 23 nëntorit në Institut. Fatmir Frroku u arrestua në bulevardin "Nënë Tereza" teksa lëvizte me makinë. Ndërkohë në pranga kanë rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij Izet Leka dhe Marsildo Ndoja.
Njëri e ndihmoi të largohej nga vendngjarja, kur kreu krimin, ndërsa tjetri shoqërohej me të, në momentin e ndalimit. Sipas raportimeve dhe dëshmive, sherri mes të plagosurit Mariglen Jata dhe autorit të dyshuar Fatmir Frroku, ka qenë banal për shkak të sharjeve në TiKTok. Mbrëmjen e 23 nëntorit Jata u zu në pritë sapo hyri në rrugicë, aty i ka dalë para autori ku e ka qëlluar me armë zjarri.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i punës informative dhe ndjekjes së kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, me objektiv kapjen e autorit të plagosjes me armë zjarri, të shtetasit M. J., në rrugën “Ramadan Citaku”, më datë 23.11.2025, u finalizua operacioni “Akuza”.
Në kuadër të operacionit, u lokalizuan dhe u ndaluan shtetasit:
-F. F., 36 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
-I. L., 32 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi M. N., 30 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi F. F. ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin M. J., dhe pas krimit është ndihmuar nga shtetasi I. L., për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
36-vjeçari u kap pas ndjekjes së automjetit me të cilin ai lëvizte bashkë me shtetasin M. N., nga Instituti deri në bulevardin “Nënë Tereza".