TIRANË- Qeveria ka themeluar Bankën Shqiptare të Zhvillimit, një projekt i prezantuar në janar të vitit 2025. Kapitali.al raporton se banka është regjistruar këtë të mërkurë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
"Banka Shqiptare e Zhvillimit Sh.A ka për objektiv kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisor te vendit, ne perputhje te plotë me kerkesat e legjislacionit per ndihmen shteterore. Ne këtë kuadër, Banka Shqiptare e Zhvillimit Sh.A synon të lehtësojë qasjen në finance, kryesisht përmes financimit dhe mbeshtetjes se sipërmarrjeve në sektorët e nënfinancuar të ekonomisë, si dhe përfshirje në sistemin financiar të individëve të cilëve nuk u ofrohen shërbime të plota nga sistemi bankar," thuhet në statutin e Bankës.

Por Banka e Zhvillimit u krijua me ligj të veçantë, pa licensim nga Banka e Shqipërisë. Kjo ka krijuar jo pak shqetësim edhe tek Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku në deklaratën e fundit në Tiranë, misioni i FMN-së deklaroi se themelimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të shtojë kompleksitet të mëtejshëm për sektorin financiar në vend. Sipas FMN-së, aktivitetet e kësaj banke duhet të jenë të kufizuara në kohë dhe të synojnë dështimet e tregut për të shmangur pengimin e investimeve private.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të drejtohet nga ish-CEO i Intesa San Paolo Bank Albania, Silvio Pedrazzi. Bankieri italian ka drejtuar për 8 vjet Intesa San Paolo në Shqipëri, nga 2013-a deri në vitin 2021.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të jetë shoqëria aksionere, ku 51% e aksioneve do të zotërohen nga shteti, e cila do të japë kredi me interesa më të favorshme se bankat e tjera të nivelit të dytë. Kapitali fillestar i bankës do të jetë 100 milionë euro të vëna nga shteti.
Sipas objektit të aktivitetit të dorëzuar në QKB, Banka e Zhvillimit do të veprojë edhe si agjent për administrimin e granteve kombëtare në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave dhe për çdo skemë tjetër grantesh.
Por përveç administrimit të granteve kombëtare dhe atyre që vijnë nga Bashkimi Europian, Banka e Zhvillimit mund të mbledhë para duke emetuar obligacione, pranojë depozita afatshkurtra dhe afatmesme nga bankat tregtare dhe institucionet e tjera financiare vendase dhe ndërkombëtare si dhe mund të pranojë fonde të kthyeshme nga publiku, veçanërisht nga individët që nuk u ofrohet shërbim i plotë nga sistemi bankar, në formën e produkteve të kursimit, nëpërmjet një entiteti të veçantë të Postës Shqiptare sh.a.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ketë si objektiv kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik, social e mjedisor, kryesisht përmes financimit dhe mbështetjes së sipërmarrjeve në sektorët e nënfinancuar të ekonomisë, si dhe përfshirjen në sistemin financiar të publikut, që nuk i ofrohet shërbim i plotë nga sistemi bankar.
