VLORË-Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi i vrasjes së Renato Hoxhajt në Vlorë, ndodhur më 27 prill. Gjatë një konference për shtyp, Elidon Çela, Drejtor i Policisë Vlorë, informoi se është shpallur në kërkim 53-vjeçari rumun Daniel Cornea, i cili dyshohet se është ekzekutori i rojes.
Pamjet filmike të publikuara më herët nga ZËRI, tregojnë autorin rumun të qetë, me maskë dhe kapele, veshje e pazakontë për stinën, por e studiuar për të shmangur identifikimin. Nga burime është mësuar se 53-vjeçari ishte një vrasës me pagesë që ishte kontraktuar nga Dubai për të kryer vrasjen në Vlorë. Po ashtu, mësohet se pasi ka qëlluar mbi 58-vjeçarin, rumun Daniel Cornea ka dalë nga Shqipëria përmes doganës së Qafë Botës.
Në hetim për këtë vrasje është nën hetim edhe 26 vjeçari me inicialet I. S., i vënë në pranga më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për të cilën vijon puna për të përcaktuar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale.
Në lidhje me vrasjen në pranga është vendosur Kleanth Bylyku alias Armando Gega, i cili u arrestua më 1 gusht. 42-vjeçari me dy emra akuzohet si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Ditën e vrasjes Kleanth Bylyku ka lëvizur në të njëjtin automjet me personin që e ka ekzekutuar. Bylyku ka qenë personi që e ka ndihmuar me lëvizjen, i ka dhënë informacionet e duhura për viktimën madje i ka siguruar edhe armën e zjarrit siç konfirmohet. Në pranga në lidhje me ngjarjen është vendosur më herët edhe Eris Mehmetaj i dyshuar se ka ndihmuar autorin e vrasjes së Renato Hoxhajt. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Drejtori i DVP Vlorë, Elidon Çela: Ndërkohë, në vazhdën e punës hetimore për dokumentimin ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, vetëm tre ditë më parë, më datë 01.08.2025, strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Në Gjurmë”, me objekt kapjen e shtetasit Kleanth Bylyku alias Armando Gega, 42 vjeç, banues në Vlorë, në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
Ndaj tij ishte lëshuar urdhër ekzekutimi i vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për vrasjen e shtetasit Renato Hoxhaj, ndodhur më 27.04.2025, rreth orës 06:20, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës. Viktima u qëllua me armë zjarri, me katër plumba në trup dhe kokë, duke humbur jetën në vend. Lidhur me këtë ngjarje, falë hetimeve të thelluara dhe analizës së provave të gjetura në vendngjarje, u dokumentua se vrasja ishte e planifikuar dhe e kryer në bashkëpunim me disa persona të tjerë. Si rezultat, janë ndërmarrë këto masa:
* Në muajin prill, u ndalua me iniciativë shtetasi E. M., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”;
* U shpallën në kërkim shtetasi i huaj, me kombësi rumune, D. C., 53 vjeç, me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit. Për këtë shtetas është lëshuar urdher arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
* Në hetim për këtë vrasje është edhe një shtetas tjetër, me inicialet I. S., 26 vjeç, i vënë në pranga më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për të cilën vijon puna për të përcaktuar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale. Ndërkohë, janë duke vazhdur me intensitet hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje kriminale në Vlorë dhe në Sarandë. Përfitoj nga rasti të bëj me dije se në Sarandë po vijojnë hetimet e thelluara dhe veprimet operacionale dhe së shpejti do të kemi rezultate konkrete për kapjen e autorëve.
Ndër personat e shpallur në kërkim është edhe Alesio Dobrozi, i cili sipas informacioneve të fundit ndodhet në Dubai. Dobrozi është i njohur për autoritetet shqiptare dhe ka qenë më parë i përfshirë në incidente kriminale. Në vitin 2021, ai bashkë me Ramazan Rrajën dhe Roan Brahimin, i vrarë kohë më parë në Athinë kishin hyrë të armatosur në një lokal në Lezhë.
Renato Hoxhaj u ekzekutua me katër plumba mëngjesin e 27 prillit. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup. Autori ende i paidentifikuar ka lëvizur me një makinë tip "Range Rover" që është pikasur para dhe pas krimit dhe më pas ka humbur çdo gjurmë, ndërsa rezulton se ky mjet është blerë rreth 3 javë para krimit në Tiranë. Vrasja dyshohet të jetë porositur nga Dubai, ndërsa për të vënë në jetë planin e ekzekutimit të Hoxhajt më 27 prill, autorët kanë përdorur 3 automjete./ZËRI


