HIMARË- Moti i keq me reshje shiu ka përfshirë vendin që prej ditës së djeshme, kryesisht rajonin jugor, ku janë regjistruar permbytje në Himarë. Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë shkaktuar daljen nga shtrati të përroit që kalon në mes të qytetit.
Si pasojë, janë përmbytur rrugë periferike dhe një pjesë e shëtitores Spile në Himarë, ku uji ka depërtuar edhe brenda banesave. Raportohet se kanë nisur të përmbyten jo vetëm oborret e tyre por edhe katet e para, pasi uji ka shkuar në disa centimetra, duke shkaktuar dëme materiale. Situatë problematike është regjistruar edhe në Komisariatin e Policisë Himarë, ku uji ka vërshuar brenda ambienteve.
Reshjet e pandërprerë kanë bërë që Bashkia e Himarës të dalë me njoftim për qytetarët, duke bërë thirrje për të shmangur çdo lëvizje që nuk është e domosdoshme.
“Ju bëjmë thirrje që të shmangni çdo lëvizje që nuk është e domosdoshme, qoftë me automjete dhe me këmbë. Qëndroni në mjedise të sigurta derisa kushtet e motit të përmirësohen. Bashkia dhe çdo punëtor dhe mjet i saj janë në krye të detyrës për të ndikuar në zbutjen e pasojave të motit dhe parandalimin e dëmeve në pronën publike dhe private”, njoftoi bashkia./ZËRI