
TIRANË- Edhe sot para Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar procesi për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës. Sërish sot, para togave të zeza, ka dalë Festim Bexhdili, i cili ishte i dënuar me burg përjetë, por vendimi u prish nga Gjykata e Lartë. Në seancën e sotme, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pretenduan se Bexhdili ka patur në përdorim një celular të enkriptur me programin "EncroChat", aparat që ende nuk është zbërthyer. Por nga ana tjetër, vetë Bexhdili pretendon se nuk e ka përdorur këtë aplikacion. Avokati i tij, Ilir Murati, në mbrojtje të klientit të tij tha se nga komunikimet që janë "zbërthyer" nga aplikacioni tjetër i koduar "Sky ECC", Altin Hajri nuk ka komunikime me Festim Bexhdilin.
Prokurorja e SPAK, Elida Kaçkini, deklaroi se janë sekuestruar dy celularë gjatë arrestimit të Bexhdilit, njëri prej tyre është i enkriptuar. Pra, rrjedhimisht, bie pretendimi se nuk ka pasur kurrë një aparat të tillë celular.
“Avokati po tenton të shmangë faktin se Bexhdili ka përdorur telefon të enkriptuar në një kohe që ne si prokurori e kemi të provuar që e ka përdorur. Këtë e pranon dhe dëshmitarja Enxhi, e cila është lidhje shoqërore e Bexhdilit. Bexhdili është pjesë e grupit kriminal dhe nuk është gjendur rastësisht në vendin apo kohën e gabuar,”- tha prokurorja. Ndërkohë që avokati i është përgjigjur: Ekspertojeni telefonin dhe na sillni prova, të sqarohet nëse Bexhdili ka apo jo komunikime, për të krijuar bindje të plotë duhen prova të reja. Duhet zbërthyer telefoni dhe të konfirmohet nëse ka ose jo komunikime.
Po ashtu, Murati kërkoi të pyeten edhe të pandehurit e tjerë për vrasjen, Aldo Majnishta dhe Dritan Rexhepi. Përveç të pandehurve të tjerë, avokati kërkoi thirrjen e një eksperti që të interpretojë pamjet filmike, si dhe kërkoi pyetjen e vajzës së lartpërmendur, e cila është identifikuar me emrin "Enxhi". Por, Gjykata e Apelit ia rrëzoi të dyja kërkesat. Megjithatë, pranoi që pamjet filmike t'i vihen në dispozicion avokatit mbrojtjës. Një tjetër kërkesë e pranuar ishte ajo për shoqërimin e Aldo Majnishtës dhe Dritan Rexhepit, të cilët do të merren në pyetje më 12 qershor.
Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. Për gjykim u dërguan: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Edhe sot, trupi i Jani Prengës nuk është gjendur akoma.../ZËRI