TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme, ku do të pyetet për herë të parë në lidhje me çështjen e 21 Janarit, pas 14 vitesh. Berisha ka mbërritur i vetëm në Prokurorinë e Posaçme, për shkak se ai do të merret në pyetje si person në dijeni nga ana e prokurorit Alfred Shehu, dhe jo si person nën hetim. Kjo është hera e parë që Berisha do të japë dëshmi për 21 Janarin, ku gjatë protestës së socialistëve, asokohe në opozitë, mbetën të vrarë 4 qytetarë.
Pasi refuzoi dy herë thirrjen e SPAK për t’u marrë në pyetje, Berisha këtë të mërkurë do të përballet me pyetjet nga ana e prokurorit Shehu, mbi rolin që ka pasur kryeministri në urdhërin që ka marrë garda, për të qëlluar në drejtim të protestuesve. Më 21 janar mbetën në vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Gjatë komunikimit që pati dje me gazetarët, Berisha tha se se 21 Janar u tentua të pushtohej Kryeministria, teksa theksoi se ishte protesta më e dhunshme.
“PS kishte agjendë dhune, kuptohet pse përdoret dhuna”, tha ai, ndërsa u shpreh se Rama është përgjegjësi kryesor.
“Do të shkoj, nesër do të jem aty, Është hetim politik pasi kjo çështje ka qenë e hetuar. Por nuk jam thirrur, nuk jam marrë në pyetje, nuk u leverdiste të më thërrisnin sepse isha njeriu i sulmuar, i rrethuar, Sigurisht që do të shkoj, kam qenë 5-6 orë në rrethim në përpjekje për të pushtuar Kryeministrinë. Ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit, qindra mijëra gurë u hodhën drejt gardistëve, ligji e përcakton qartë qëndrimin e rojës, janë hedhur eksplozivë drejt tyre, u përdorën makina për të thyer derën.
Padiskutim që do të shkoj. PS kishte agjendë dhune, kuptohet pse përdoret dhuna. Është organizatori kryesor, shiheni kur bën me shenjë nga dritaret e mia. Dritaret e mia kanë marrë gurë e plumba. Rama do të dalë organizator i një proteste që synonte pushtetin me dhunë. Ndaj u rrethua Kryeministria“, tha Berisha.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 14 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale./ZËRI