TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme të Apelit është zhvilluar sot seanca për masat e sigurisë ndaj të hetuarve të dosjes "AKSHI", ndërsa vendimi për këtë çështje do të shpallet më 5 shkurt në orën 15:00. Mësohet se prokurorët e çështjes ka kërkuar që të ngelin në fuqi masat e mëparshme, teksa kanë paraqitur prova të reja në Apelin e GJKKO-së lidhur me hetimet që po zhvillohen për Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Bëhet fjalë për prova që përmbajnë dëshmi të siguruara nga prokurorët e SPAK gjatë kësaj periudhe.
Dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe manipulim me tenderët e ASHKI-t, vijojnë të jenë në kërkim. Dyshja akuzohet se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta. Drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj dhe zv/drejtoresha Hava Delibashi janë në “arrest shtëpie”. GJKKO ka pezulluar nga detyra zv/drejtorin e Policisë së Tiranës Erion Ismailaj.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI