TIRANË-Përfaqësuesi nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Ardian Bylyku në një konferencë për mediat pasditen e kësaj të marte, më 24 shkurt, lidhur me bllokimin e aksit Librazhd-Pogradec dhe bypassit të ri, thotë se arsyeja kryesore e shembjes së rrugës Librazhd-Pogradec është sasia e reshjeve të shumta të shiut.
Ardian Bylyku nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar: Sasia e reshjeve ka qenë trefishi në krahasim me 2 vitet e mëparshme. Është një fenomen që njihet me fenomenin e mbingopjes së strukturave, dhe ka dhënë maksimumin e mbingarkesës, duke rezultuar si faktori kryesor për cedimin e gjithë strukturës. Shërbimi gjeologjik është duke vazhduar me pjesën e studimeve të thelluara, të lidhura këto me interpretimet e rezultateve të rreth 500 metrave linearë shpime që do të vendosen nga ekspertët, si dhe serinë e analizave. Falë kësaj pune, matja e rezultateve do të bëhet nga ana jonë, dhe interpretimi i të gjithë rekomandimeve që shërbimi gjeologjik do të bëjë për këtë situatë.
Në të njëjtin mendim është shprehur edhe drejtuesi i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, i cili deklaroi se shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas dhe hekurudhës që ndodhet aty pranë erdhi si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin.
Ergys Verdho: Segmenti hekurudhor Elbasan-Pogradec ndodhet në këtë fazë të dytë. E gjithë linja ka që në 2012 që nuk përfshihet nga operimi dhe monitorohet herë pas here nga vrojtuesit e mjeteve që bëjnë raportim mujor në Drejtorinë e Infrastrukturës. Në kilometrin 103-700 në Dragostunjë, pjesë e këtij segmenti, si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin, kemi pasur problematika të shtuara në këtë kilometër, ku unë do të shtoja masivi, jo rruga apo hekurudha, masivi i asaj zone ka një rrëshqitje që është e aktivizuar me 30 vite përpara. Ky masiv, i ngarkuar nga shirat e 4 muajve të fundit, bëri të mundur nga shumë faktorë të ndryshëm, si shiu, volumetria e të qenit në këtë kilometër, si dhe lumi Shkumbin me rritje të shtratit dhe përplasje me shtratin e hekurudhës, bëri të mundur planin rrëshqitës. Gjithë strukturat tona janë në terren, kanë marrë masat e nevojshme. Ne do marrim hapat tona, të krijimit të asaj rrugës permanente për pjesën e shtratit lumor.