DURRËS- Një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara është parandaluar në IEVP Durrës, gjatë një kontrolli fizik të ushtruar ndaj familjarëve që po hynin për takim me të paraburgosurit.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja është evidentuar ditën e sotme, ku gjatë kontrollit ndaj shtetasit Erald Vogli, i cili kishte ardhur për takim me vëllain e tij, të paraburgosurin Ergys Vogli, janë konstatuar dhe sekuestruar dy qese të vogla të dyshuara si lëndë narkotike.
Autoritetet bëjnë me dije se lënda e dyshuar ishte e fshehur në trupin e shtetasit në fjalë dhe është zbuluar gjatë kontrollit fizik. Menjëherë pas konstatimit, sendet e ndaluara janë bllokuar dhe rasti po trajtohet nga autoritetet e institucionit.
Njoftimi:
Sot, më datë 27.04.2026, rreth orës 12:50, në ambientet e IEVP Durrës, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj familjarëve, u evidentua një rast i tentativës për futjen e sendeve të ndaluara në institucion.
Nga kontrolli fizik i shtetasit me iniciale E.V., i cili kishte ardhur për takim me familjarin e tij, te paraburgosurin me iniciale E.V , u konstatuan dhe u sekuestruan 2 (dy) qese të vogla, të mbështjella me natriban, që dyshohet se përmbajnë lëndë narkotike, të fshehura në trup.
Menjëherë pas konstatimit:
• u bë bllokimi i sendeve të ndaluara;
• u hartuan procesverbalet përkatëse;
• u njoftua Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, për vijimin e veprimeve procedurale.