TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur dhe u ka komunikuar akuzat Izmir Sakicës, Samuel Troshanit dhe Franko Lekës, të cilët akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe planifikuar vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij, ngjarje e ndodhur më 23 gusht 2024, ku u godit me armë autmojeti i blinduar “Audi A8”.
SPAK ka ngritur akuzat për vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë, sigurim kushtesh për të kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje, të gjitha këto të kryera në kuadër të grupit kriminal. Një akuzë është ngritur edhe për vetë Aleksandër Prendin, prokuroria ka caktuar akuzën e vrasjes në tentativë. Franko Leka dhe Aleksandër Prendi vijojnë të jenë në kërkim, ndërsa Sakica dhe Troshani ndodhen në burg të dënuar për dhunën e ushtruar ndaj 62-vjeçarit Vladimir Bruçi, rast për të cilin u vetëdorëzuan në Polici.
Sipas SPAK, nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23 gusht 2024, rreth orës 17.00 të pasdites, Sakica, Troshani dhe Leka bashkë me disa persona të tjerë, ende të paidentifikuar, të armatosur dhe me makina të blinduara janë nisur drejt Bushatit për të vrarë anëtarët e familjes Prendi. Por sapo grupi i armatosur shkoi në Bushat, Aleksandër Prendi i ka pikasur duke qëlluar mbi makinat e blinduara. Sipas SPAK-ut, aty ka pasur shkëmbim zjarri pasi janë konstatuar gëzhoja të ndryshme në vendin e ngjarjes./ZËRI
