SARANDË- Shpërthimi me tritol që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Sarandë, ku mbeti i vrarë 58-vjeçari Isuf Jaçaj, ka tronditur jo vetëm familjen e tij, por edhe fqinjët.
Një fqinje, e cila ishte dëshmitare e ngjarjes, ka rrëfyer për mediat se shpërthimi ishte shumë i fortë, duke bërë që copat e makinës, aty ku ishte vendosur tritoli, të shpërndaheshin në ajër. Ajo tregoi se në momentin e ngjarjes në zonë ndodheshin edhe turistë, të cilët u panikosën, ashtu si edhe fëmijët e banorëve vendas.
“Ishte ora 10 ose 10 e gjysëm, se mbaj mend. Xhamat u shpërndanë gjithandej. Fëmijët u trembën shumë. Desh vdiqëm. Këtu kishte dhe turistë të huaj, u trembën shumë. Njëra ishte dhe shtatzënë u tremb dhe vetëm qante”, u shpreh dëshmitarja.
Vrasja e 58-vjeçarit, i njohur me nofkën “Bushi”, dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje. Kjo, pasi i biri i tij, Klaus Jaçaj, 31 vjeç, është i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur më 17 korrik në qytetin e Sarandës dhe aktualisht ndodhet në burg. Klaus Jaçaj u arrestua vetëm një javë pas ngjarjes, ndërsa vetë Ramadan Zoto ra në pranga më 22 gusht në qytetin e Korçës.
Më 17 korrik, dy të rinj nga Kamza – Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama – u plagosën me armë zjarri nga Ramadan Zoto, alias Canaj, 43 vjeç, pas një konflikti për një parcelë toke në bregdet. I biri i viktimës, Klaus Jaçaj, akuzohet për “përkrahje të autorëve të krimit”, pasi ka ndihmuar Ramadan dhe Erjon Canajn pas ngjarjes.
Isuf Jaçaj humbi jetën mbrëmjen e së shtunës në Sarandë, pas shpërthimit me tritol që iu vendos makinës së tij. Viktima kishte precedentë penalë të mëparshëm dhe ishte babai i Klaus Jaçajt, i cili ndodhet aktualisht në burg, i akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 17 korrik 2025./ZËRI
