TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka zbutur masat e sigurisë për katër nga të pandehurit e dosjes “Bankers Petroleum” të akuzuar për evazion fiskal dhe mashtrim me TVSH-në. Konkretisht, GJKKO vendosi të zëvendësojë masën e “arrestit në shtëpi” në “detyrim paraqitje” për ish-administratorin e Bankers Leonidha Cobon, për CEO-n Hong Ping Xiao, për ish-drejtorin financiar Ardit Kero dhe për Lianyi Wang. Gjithashtu, mësohet se ndaj tyre është vendosur edhe masa e sigurisë "ndalimi i daljes jashtë vendit".
Mbi këta 4 persona rendojnë akuzat “Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore”.
Kërkesa për zëvendësimin e masave të sigurisë u kërkua nga vetë dy prokurorët e posaçëmm Enkelejda Millonai dhe Anita Jella për shkak të kalimit të afatit 9 mujor të paraburgimit, ndërkohë që vetë avokatët kërkuan shuarjen tatale te masës.
Në "Bankers Petroleum” u zbulua një skemë abuzimi, me miliona euro dëm shtetit. Zyrtarët akuzohen për veprat penale ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’, ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘moskryerje detyrash nga organet tatimore’. Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se kompania shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite. Edhe pse 'Bankers' nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë, por ka deklaruar humbje për vite me radhë, duke shmangur tatimet. Ndaj edhe dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona eur/ZËRI