TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje 5 fëmijët, të cilët nga këqyrja e pamjeve filmike, shfaqen në momentet e para të përhapjes së flakëve të zjarrit tek pallati pranë 'Farmacisë 10'. Pesë të miturit, banorë të kompleksit 'Arlis', shihen duke hedhur mbeturina në një karrocë, e cila konsiderohet si vatra prej nga ku shpërtheu zjarri që dogji pallatin.
Të miturit janë pyetur mbi rrethanat e ngjarjes, në prezencë të psikologëve dhe prindërve. Ata kanë deklaruar se veprimet e tyre kanë qenë të paqëllimshme, ndërsa mbetjet që morën flakë ndodheshin pranë një karroce dhe sipas tyre, nuk e kanë menduar që mund të sillnin një rrezik të tillë.
Ndërkohë, sipas burimeve nga grupi hetimor, prokurori i çështjes ka urdhëruar policinë që të kryejë veprime të tjera në vendngjarje, duke përfshirë marrjen në pyetje të disa shtetasve të tjerë. Në pyetje janë marrë dhe disa shtetas të tjerë që kanë kontatuar të parët ngjarjen si persona që kanë dijeni ku kanë dhënë shpjegimet e tyre.
Shërbimi zjarrfikës përfundoi ekspertizën për zjarrin e rënë në pallatin 12 katësh dhe rezultatet ja ka dorëzuar prokurorisë, që po heton për shkatërrim të pronës nga pakujdesia. Burime nga prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se shërbimi zjarrfikës ka arritur në konkluzionin që shkak i zjarrit janë faktorë të jashtëm. Që do të thotë, se ndryshe nga sa ishte aluduar më parë, shkak nuk është as neglizhenca e shërbimit aty, as shkëndija elektrike dhe as ndonjë bombël gazi.
Dinamika-Si u shkaktua zjarri
Ngjarja ndodhi më 14 prill, ku si pasojë e flakëve u dogjët 30 apartamente të kompleksit 'Arlis'. Teksa hetimet vijojnë, fillimisht u arrestuan 4 persona, të cilët më pas u liruan nga Gjykata e Tiranës dhe u lanë në masën "detyrim paraqitje". Konkretisht për: Razie Sula, menaxhere e marketit që ndodhej në katin e parë të pallatit, Agron Cara, administrator i godinës, Enver Ademi, inxhinier, dhe Altin Furtuna, kontraktor i fasadës.
Sipas kamerave të verifikuara nga policia, rezulton se shkak për zjarrin ishte bërë bërë pakujdesia e disa fëmijëve. Në video shfaqen pesë të mitur që qëndrojnë për disa minuta në pjesën e pasme të një marketi, aty ky nisën flakët në fillim. Pak më vonë dy prej tyre largohen duke mbajtur në duar një objekt të paqartë, që dyshohet të ketë qenë një copë letër. Të miturit e hedhin atë mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit dhe largohen menjëherë nga vendngjarja. Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin vend shfaqet tym.
Edhe Policia në njoftimin zyrtar raportoi se shkaku kryesor i zjarrit kanë qenë mbeturinat e marketit në katin e parë të ndërtesës. Zjarri, më pas përfshiu plotësisht pjesën e jashtme të ndërtesës, duke djegur fasadën me dy shtresa dhe duke dëmtuar edhe strukturën e brendshme në disa pjesë.
Autoritetet po punojnë për të përcaktuar përgjegjësit dhe nëse ka pasur shkelje që çuan në shpërthimin e flakëve. Ndërkohë kompania Arlis me një reagim zyrtar u shpreh se nuk mban asnjë lloj përgjegjësie ligjore, por do të rindërtojë apartamentet e djegura./ZËRI