VLORË- Situata në lumin Vjosë paraqitet kritike, pasi niveli i ujit ka arritur në 8.6 metra, duke dalë nga shtrati. Raportohet se më shumë se 20 banorë janë evakuuar.
Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, deklaroi se prurjet janë në pikën më të lartë dhe se orët në vijim do të jenë vendimtare. Mersini u shpreh se përmirësimi i situatës pritet pas 12 orësh.
Brunilda Mersini: Situata aktualisht është në pikë kritike sepse prurjet janë në nivelin 8.6 metra. Në orët në vazhdim presim një ulje të sasisë së ujit, duke qenë se pjesa e jugut që sjell këto prurje është stabilizuar dhe kjo do të pasqyrohet në harkun kohor të 12 orëve. Në një zonë risku kemi 6 familje që, në rast se do të kalohet kjo pikë prej 8.6 metrash, do të evakuohen. Deri më tani janë 13 familje që kanë qenë të gatshme të largohen nga zona e rrezikuar.