
TIRANË- Dosja e mikrokredive vazhdon të jetë e hapur në SPAK! 'Dëshmi' për këtë ishte dhe marrja në pyetje e ish-rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili u thirr nga hetuesit e çështjes. Por duket se nuk është dhe nuk do të jetë i vetmi që do të duhet të japë llogari për dëmin që u është bërë qytetarëve përmes mashtrimit me kreditë e këqija. Një tjetër që është thirrur për t'u pyetur, jo një herë, por dy herë, është guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Burime konfidenciale nga BKH bëjnë me dije për ZËRI-n se guvernatori është marrë në pyetje, por nuk dihet sesi ka mundur që të futet dhe të dalë nga godina po u vënë re nga gazetarët dhe nga kamerat e televizioneve që për çdo ditë qëndrojnë para godinës së institucionit të Prokurorisë së Posaçme.
Por si, kush dhe çfarë po hetohet?
SPAK ka disa hetime paralele lidhur me çështjen e mikrokredive. Hetimin për guvernatorin Sejko dhe bashkëpunëtorët e tij në Bankën e Shqipërisë po e ndjek prokurorja Dorina Bejko, e cila ka marrë përsipër kallëzimin e bërë nga Dhoma e Përmbaruesëve. Sipas të njëjtave burime, hetimet janë drejt fundit dhe shumë shpejt pritet që të dorëzohen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Përveç kësaj çështjeje, një tjetër hetim po zhvillohet nga hetuesi Edvin Kondili lidhur me kallëzimin që ka bërë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja kundër “MCA” të Olsi Ibros dhe “Final” të Arben Meskutit. Po në vitin 2024, njëjtë si dy çështjet e tjera, është depozituar dhe një dosje e tretë. Hetimi i nisur për një rast mashtrimi me kredi dyshohet se ka zbuluar lidhje të drejtorëve kryesorë të Bankës së Shqipërisë, Deniz Deralla dhe Altin Naqe me skemën e mikrokredive. Se ku qëndron kjo lidhje, priten ta zbulojnë hetimet.
Megjithatë nuk dihet nëse të gjitha këto raste do të përmblidhen në një dosje të vetme, apo do të hetohen veçmas dhe të palidhura me njëra-tjetrën. Më shumë do të mësojmë kur SPAK të ndërmarrë veprime për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që mashtruan më shumë se 100 mijë shqiptarë që kanë rënë pre e skemës së "piramidave".
I pari që dha lajmin se çështja e skandalit të mikrokredive po hetohej nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ishte ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Lajmin e dha gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve më 10 Maj 2024. Por çështje të hapura kishte edhe në Prokurorinë e Tiranës, që mesa duket kanë kaluar edhe ato në SPAK. Pak muaj më parë, Micro Credit Albania dhe Final, të dyja shoqëritë e mbledhjes së borxheve e kredive të këqija u vendosën nën sekuestro me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Mbi shoqëritë rëndon vepra penale e "mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” dhe për "pastrim të produkteve të veprës penale". Megjithatë, deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk jepen sqarime se paratë e kujt janë "pastruar" përmes kësaj kompanie që tashmë është nën sekuestro. Se përveç këtyre çështjeve po hetonte edhe SPAK-u, e konfirmoi kreu i institucionit, Altin Dumani. Në raportimin që ai po bën në Komisionin e Ligjeve, Dumani u pyet për disa çështje, por edhe për mikrokreditë zgjodhi heshtjen, duke u mjaftuar me vetëm: Po e hetoj!
Si u zbulua skandali?
Prej disa vitesh tashmë, ZËRI ka denoncuar dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në këto zyra. Këto institucioneve përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Aq më tepër kur një prej këtyre viktimave, Pal Trashaj i dha fund jetës në dyert e SPAK. Ai kishte shkuar në Prokurorinë e Posaçme që të denonconte rastin e tij, por në dëshpërim e sipër, konsumoi fotoksinë, duke i dhënë fund jetës. Një fund të ngjashëm ka zgjedhur edhe Olsi Ibro, pronari i “Micro Credit Albania”. Ky i fundit zgjodhi që t'i jepte fund jetës duke u hedhur nga një pallat./ZËRI