TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është paraqitur këtë të mërkurë në GJKKO për seancën e radhës, lidhur me hetimet për dosjen "Gërdeci". Mediu është parë në shoqërin e avokatit të tij, teksa gjatë mbërritjes në ambientet e Prokurorisë së Posaçme nuk është prononcuar për mediat.
Në seancën e kaluar Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka depozituar në GJKKO provat për gjyqin në ngarkim të ish-ministrit.
Ish-ministri i Mborjtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI