TIRANË- Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka reaguar zyrtarisht për incidentin lidhur me klonimin e kartave, që alarmoi klientët e bankës, pasi paratë e tyre ishin tërhequr nga shtete të tjera. Përmes një reagimi publik, BKT konfirmon se disa klientë kanë rënë pre e një skeme mashtrimi, teksa bën me dije se rasti ëshë identifikuar dhe trajtuar në kohë, teksa kartat e klonuara janë bllokuar menjëherë sapo janë konstatuar parregullsitë. Po ashtu, BKT njofton se të gjithë klientët e prekur janë kontaktuar dhe do të rimbursohen plotësisht.
Reagimi:
Të nderuar Klientë,
Dëshirojmë t’ju informojmë se BKT ka identifikuar dhe trajtuar në kohë një rast të izoluar mashtrimi përmes klonimit të kartave në ATM. Rasti prek një numër shumë të vogël kartash, të cilat janë bllokuar menjëherë. Të gjithë klientët e prekur janë kontaktuar dhe do të rimbursohen plotësisht.
Siguria e fondeve dhe e të dhënave të klientëve mbetet prioritet absolut për BKT, dhe Banka vazhdon të investojë në sisteme të avancuara monitorimi dhe parandalimi për të garantuar standardet më të larta të sigurisë.
Incidenti i ndodhur vetëm 2 ditë më parë alarmoi qytetarët (klientët) e bankës sa i përket sigurisë së tyre, të bankave dhe bankomateve në Shqipëri. Rasti u bë publik pas denoncimeve të qytetarëve, llogaritë e të cilëve rezultuan të boshatisura, ndërsa kartat rezultonin të përdorura paautorizim në vende të tjera të rajonit. Në një rast, karta e një qytetari rezultonte të ishte përdorur në Bullgari duke bërë blerje për një shumë të konsiderueshme me mijëra euro. Në një tjetër rast, paratë ishin marrë në Itali, e kështu me radhë. /ZËRI
