TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ministres, Belinda Balluku, me qëllim arrestimin. Balluku është person nën hetim pasi akuzohet për kryerje të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të hetimeve për Tunelin e Llogarasë. Ndërsa sipas njoftimit të SPAK, bëhet me dije se Balluku akuzohet për shkelje tenderash edhe për 6 lote, në total 7. Kërkesa e SPAK vjen disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese me vendim unanim e riktheu në detyrë, duke rrëzuar vendimine e GJKKO-së për pezullim.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:
Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.
Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).
Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me shumicë votash, 5 me 3, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Po në të njëjtën mbledhje, dhe me të njëjtën shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi edhe pranimin e ankimimit të Qeverisë të bërë ndaj kësaj çështjeje. Për kërkesën e qeverisë për shqyrtimin në themel të çështjes, gjykata caktoi datën e seancës plenare publike: 22 janar 2026, ora 10:00. Në këtë proces do të thirren edhe SPAK, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.
Sot katër ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit. Në njoftimin e ndarë për mediat, SPAK thotë se i ka kërkuar autorizim Kuvendit për arrestimin e Ballukut./ZËRI

