Aktualitet

Ndahet “Sterilizimi”/ Beqaj do gjykohet i vetëm, "revoltë" në gjyq: Kam marrë njëherë pafajësi! Jeta jonë s'është sekonda

Beqaj deklaroi se këtë vendim ia kishte kërkuar disa herë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por nuk i ishte vendosur në dispozicion.

k.m.
Ndahet “Sterilizimi”/ Beqaj do gjykohet i vetëm,
Ilir Beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka dalë sërish në gjyq për dosjen e “Sterilizimit”. Në seancën e sotme, i pandehuri ka pasur pretendime duke përmendur se në të shkuarën, gjykata (asokohe Gjykata e Krimeve të Rënda) e kishte pushuar procedimin penal të ngritur ndaj tij, duke i dhënë pafajësinë. Beqaj deklaroi se këtë vendim ia kishte kërkuar disa herë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por nuk i ishte vendosur në dispozicion. Bëhet fjalë për dokumentin e pafajsisë, që ka marrë pas gjykimit nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Më pas, shtoi, se dokumentin kishte arritur që ta siguronte nga arkiva e Kuvendit të Shqipërisë. 

“Bëhet fjalë për vendimin e pushimit të një procedimi penal të prokurorit të Tiranës, Endrit Bimi, që për mua është vendim pafajësie. Unë i kam kërkuar SPAK një vendim disa herë, por nuk na e dha. E siguruam më pas nga Kuvendi, që na e dha, pasi ju kishte shkuar nga SPAK mes materialeve për komisionin hetimor. I kujtoj gjykatës, që një nga rekomandimet e qeverisë të paraqitura nga ministri i Drejtësisë në Prokurorinë e Përgjithshme ishte: Sundimi i ligjit kërkohet respektimi strikt i të drejtave proceduralie të të pandehurve. Ka dhe vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë,"-tha ndër të tjera në fjalën e tij në sallë, ish-ministri. 

Pas fjalës së Beqajt, prokurori Ervin Kondili shtroi e një herë kërkesën e tij që Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj, të gjykohen për “vjedhje”, duke shpërdoruar detyrën, si dhe për veprën penale “grup i strukturuar kriminal”. Por sapo ka përmendur akuzën për vjedhje ka pasur disa reagime. Beqaj është shprehur se akuzohet për vjedhje, por sipas tij, SPAK ende nuk i ka dhënë shifra.

“Akuzohem për vjedhje, por nuk ka shifër, SPAK nuk ka bërë arsyetimin e akuzës së re që e pranoi nga gjykata. Ne nuk jemi sekonda, jeta jonë nuk është sekonda për gjykim të shkurtuar. Unë jam përgatitur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Siç më ka arsyetuar për shpërdorim detyre dhe duhet të arsyetojë pse është vjedhje. Ju s’e keni thënë kurrë këtë akuzë, keni thënë vetëm fjalën pranojmë. Pa një formulim të saktë të akuzës nuk mund të përgjigjem. Në 3 krerë të ndryshëm na kanë venë nene të ndryshme të Kodit Penal. Ne jemi bërë si autoshkollë, unë nuk bëj dot mbrojtje efektive pa një akuzë të shkruar,”- është shprehur Beqaj. Ndërsa avokati i këtij të fundit, Ermal Yzeiraj është shprehur se është i paqartë me akuzën e SPAK-ut ndaj klientit të tij.

“Unë jam i paqartë për akuzat, pasi prokuroria nuk e ka saktësuar akuzën, sepse verbalisht thonë vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup kriminal, ndërsa me shkrim është shpërdorim detyre. Unë jam i paqartë për çfarë do të mbrohem,”- u shpreh avokati Ermal Yzeiraj.

Por pretendimet e palës mbrojtëse nuk kanë ndryshuar asgjë. Gjykata vendosi që Ilir Beqaj do të gjykohet i vetëm me procedurë normale, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë në gjykim të shkurtuar, që do të thotë se në rast se dalin fajtorë, do t'u ulet 1/3 e kohës së dënimit. Kështu, në këto kushte, pritet hedhja e shortit, që do caktojë trupin e ri të gjyqtarëve në ngarkim të gjykimit të Beqajt.

Seanca e radhës gjyqësore për 8 të pandehurit, me përjashtim të Beqajt, do të mbahet më 11 qershor, ora 10:00.

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen “Sterilizimi”. Të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj do të përballen në gjyq me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Beqaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh.

Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini. SPAK ka përfunduar hetimet për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj edhe për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), për çështje të cilën ndodhet në burg prej datës 4 korrik 2024./ZËRI

Poll

MOS HUMB