Aktualitet

"Sterilizimi"/ GJKKO mbyll shqyrtimin gjyqësor, vendimi shpallet më 4 mars

Pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe konkluzioneve përfundimtare, gjykata e konsideroi të ezauruar procesin dhe e kaloi çështjen për vendim.

zh.ll
"Sterilizimi"/ GJKKO mbyll shqyrtimin gjyqësor, vendimi shpallet
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor për dosjen e njohur si “Sterilizimi”. Pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe konkluzioneve përfundimtare, gjykata e konsideroi të ezauruar procesin dhe e kaloi çështjen për vendim. Ndërkohë, vendimi pritet të shpallet më 4 mars 2026, në orën 15:30.

Në qershor të vitit të kaluar, SPAK shpalli pretencën dhe kërkoi dënimet:

- 6.8 vite burg për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, të cilët akuzohen për shkelje lidhur me koncesionin e sterilizimit.

- 3 vite e 6 muaj burg për tre ish-zyrtarët Petref Mersini, Marsela Serjanaj dhe Sajmir Kadiu. Për këta dy të fundit, dënimi konvertohet në 2 vite e 4 muaj burg, ndërsa për Mersinin në 4 vite shërbim prove.

- 1 vit e 4 muaj burg për mjekun Arben Gjata, që i konvertohet në 3 vite shërbim prove.

- 2 vite shërbim prove u kërkua për Genc Byrazerin dhe Naile Ajazin.

Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, po gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme.

Sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale konsiderohet një funksion thelbësor i çdo spitali publik, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e pacientit dhe praktikën mjekësore të përditshme, dhe për dekada është realizuar nga struktura të brendshme spitalore pa nevojën e një operatori të veçantë juridik.

Ndërkohë dosja “Sterilizimi” është në gjykim. Të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj përballen me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj po gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh./ZËRI

Poll

MOS HUMB