DURRËS- Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Durrës është shtyrë pas protestës së banorëve dhe këshilltarëve të Partisë Demokratike. Mësohet se grupi i këshilltarëve të PS-së ka vendosur të mos votojë për pikën e subvencionimit të qirave për familjet e prekura nga 'TID'. Bëhet fjalë për pikën 13 të rendit të ditës, e cila parashikonte miratimin e bonusit të qirasë për familjet e prekura nga zbatimi i këtij projekti.
Këshilltarët e opozitës kanë braktisur mbedhjen dhe janë bashkuar me qytetarët në protestë, ndërsa grupi i këshilltarëve të mazhorancës vendosi të mos kalojë në votim, pa pjesëmarrjen e tyre në mbledhje. Ndërkohë, votimi i projektvendimit për bonusin e qirasë do të shqyrtohet në mbledhjen e adhshme të këshillit.
Banorët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për strehimin e tyre, ndërsa kanë kundërshtuar vlerën e shpronësimit, pasi sipas tyre, është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi. Banorët kërkojnë nga bashkia që t’u sigurojë më përpara një shtëpi. Sipas bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik./ZËRI