
FIER- 47-vjeçari Robert Mërnica, i cili 3 vite më parë tentoi të vrasë Pashk Palnikaj në fshatin Sulaj është arrestuar. Ai ishte shpallur në kërkim dhe po qëndronte në arrati prej tre vitesh. Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, në mungesë për veprat penale “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Për këtë ngjarje po gjykohet edhe Kiri Mërncia, i cili është dënuar me 12 vite burg për vrasjen 23-vjeçarit Florian Selimit.
"Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim R. M., 47 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier pas informacioneve të siguruara në rrugë operative në afërsi të fshatit Sulaj, kapën dhe vunë në pranga shtetasin R. M., 47 vjeç, banues në fshatin Sulaj, pasi ndaj tij Gjykata e Fierit ka caktuar masë sigurie "Arrest me burg", për veprat penale "Vrasje me paramendim", e mbetur në tentativë, në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Ky shtetas në vitin 2021 ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin P. P., në fshatin Sulaj, Fier.
Në vijim të veprimeve procedurale Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestoi shtetasin R. M.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Emri Mërnica nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi edhe vëllai i Kirit, Azgani është tashmë në burg pasi vrau me armë zjarri efektivin e “Shqiponjave” Novruz Cenalia në Fier. Rasti i parë i përfshirjes së tyre në krime ishte kur Petrit Mërnica, babai i Kirit dhe Azganit vrau kunatin e tij. Petrit Mernica ka bërë 20 vite burg për këtë vrasje. Një tjetër anëtar i fisit Mërniça që ndodhet pas hekurave është edhe daja i Azgan Mërnicës, i cili është duke kryer dënimin me burg në Gjermani. /ZËRI