
TIRANË- Familjarët e policit të qarkullimit rrugor, Azbi Spahiu, i cili më 15 janar u hodh nga lartësia e një pallati në kryeqytet, kanë reaguar për herë të parë. Në një reagim publik, familjarët e efektivit tregojnë se fatmirësisht gjendja shëndetësore e familjarit të tyre është drejt përmirësimit. Por, edhe pse vlerësojnë shqetësimet për gjendjen e efektivit, kërkojnë qetësi deri në rikuperimin e plotë të 57-vjeçarit.
Reagimi i plotë i familjarëve:
Në përgjigje të interesimit të mediave, ne, familja Spahiu, ndjejmë detyrimin të sqarojmë situatën e të afërmit tonë, Azbiut. Ne dëshirojmë të shprehim falënderimet tona të sinqerta për të gjithë ata që, në këto ditë të vështira, na kanë qëndruar pranë. Në radhë të parë, falënderojmë miqtë, të afërmit, kolegët e punës dhe çdo person tjetër që ka treguar solidaritet, qoftë edhe pa pasur njohje të mëparshme me ne.
Fatmirësisht, gjendja shëndetësore e të dashurit tonë po përmirësohet dhe mezi presim që ai të rikthehet sa më parë në jetën dhe punën e përditshme. Ne si familje kemi qenë gjithnjë të thjeshtë dhe larg qendrës së vëmendjes së medias apo opinionit publik. Situata aktuale ka krijuar shqetësim, jo vetëm për Azbiun, por edhe për ne si familje, miqtë dhe të afërmit tanë. Kjo vëmendje e tepërt dhe aludimet e pavërteta nuk ndihmojnë, përkundrazi, na e rëndojnë situatën. Për këtë arsye, ju lutemi të gjithëve që ta respektojnë privatësinë tonë dhe të mos merren me spekulime me çështjet personale, që as i di njeri e as ka pse t’i dijë.
Siç na kanë këshilluar edhe mjekët, ajo që i duhet më shumë tani Azbiut është qetësia. E vlerësojmë shumë interesimin dhe mbështetjen e gjithkujt, por kërkojmë mirëkuptim që asnjë veprim të mos ndërmerret në emrin tonë, sepse nuk na ndihmon.
Për të gjithë ata që janë shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e Azbiut, dëshirojmë të konfirmojmë se kjo është një situatë personale dhe nuk lidhet aspak me ndonjë presion për shkak të detyrës nga eprorë, kolegë, qytetarë apo biznesmenë, siç është aluduar në disa raste.
E falënderojmë secilin prej jush që ka treguar mbështetje të sinqertë. Jemi mirënjohës për punën e palodhur të mjekëve të Spitalit të Traumës, të cilët po ndihmojnë në rikuperimin e shpejtë të Azbiut. Me ndihmën e tyre dhe mbështetjen e gjithë miqve tanë, jemi të bindur që gjithçka do të kthehet në normalitet. Ju falënderojmë nga zemra për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj.
Dje, Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha reagoi pas polemikave dhe informacioneve që po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në portale në lidhje me një rast tragjik, ku një punonjës i Policisë Rrugore të Tiranës u hodh nga një pallat. Sipas tij, nuk ka prova që ai ka tentuar të vrasë veten për shkak të presionit. E po ashtu, edhe AMP tha se deklarata e administruar nga efektivi tregon se ai nuk ka ngritur asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm. Ngjarja ndodhi më 15 janar në rrugën “Kongresi i Manastirit”. 57-vjeçari me detyrë Specialist i Qarkullimit Rrugor, ndodhet nën kujdesin e mjekëve./ZËRI