
SHËNGJIN-Tentativa e tretë për të akomoduar emigrantët në kampin e Gjadrit në Lezhë ka dështuar. 43 emigranët që ishin dërguar në qendrat përtej Adriatikut do të kthehen sot në Itali. Lëvizja vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Romës të premten. Kthimi i emigrantëve nga Bangladeshi është planifikuar sot më 1 shkurt, dhe do të bëhet me anijet e rojes bregdetare. Anija tashmë ka mbërritur në Shëngjin.
Në aktvendimin e gjykatës theksohet se procesi gjyqësor duhet të pezullohet derisa të vendosë Gjykata e Drejtësisë së BE. Për shkak të kësaj pezullimi, nuk mund të respektohet afati 48-orësh për konfirmimin e ndalimit, ndaj të ndaluarit duhet të lirohen, siç ka vendosur më parë edhe Gjykata Kushtetuese në raste të ngjashme.
Në qendrën e Gjadrit ndodheshin 43 migrantë, pasi 5 të tjerë ishin transferuar më parë në Itali për shkak se ishin të mitur ose në gjendje të cenueshme. Seancat për konfirmimin e ndalimit nisën mëngjesin e sotëm me pjesëmarrjen e azilkërkuesve përmes videokonferencës dhe me praninë e gjyqtarëve nga Gjykata e Apelit e Romës.
Ky është kontigjenti i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërritën në Shqipëri. Më 16 tetor dhe 8 nëntor 2024, anija luftanike “Libara” solli në Shqipëri dy kontigjente me 24 emigrantë, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët, pas vendimit të gjykatës italiane, u rikthyen në vendet e origjinës, pasi këto dy shtete u cilësuan si vende të sigurta.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar./ZËRI