KORÇË-Gjykata e Korçës ka vendosur të lirojë Kevi Muçllarin, 27-vjeçari i cili u arrestua pas një sherri fizik me këshilltarin demokrat Engjëll Shytinë në ambjentet e Këshillit Bashkiak Pogradec. Gjykata vendosi të mos caktojnë masë sigurie ndaj tij. Pas lirimit Muçllari është shprehur se nuk kishte për qëllim të dhunonte dikë dhe pretendon se arrestimi i tij u bë në mënyrë të paligjshme. 27-vjeçari theksoi se ndodhej në Këshill për mbrojtje të interesit të komunitetit dhe po protestojnë sepse ju cënohen interesat e tyre.
“Së pari falënderoj familjarët, miqtë dhe shokët të cilët më janë gjendur pranë në këto ditë shumë të vështira. Gjykata dha vendimin që pritej. Arrestimi im u shpall i paligjshëm sepse realisht ashtu ishte. Unë u shpreha dhe në gjykatë, unë nuk jam kriminel. Isha aty në mbrojtje të interesit të komunitetit, në mbrojtje të një kauze që ne e kemi menduar si të drejtë dhe e mendojmë si të drejtë. Nuk ishte qëllimi im që të dhunoja dikë për shkak të detyrës. Ky ishte një vendim thellësisht i padrejtë. Kam një falënderim për gjyqtarin që mori një vendim të drejtë në raport me mua. Falënderoj banorët të cilët ishin pranë meje në këto ditë shumë të vështira, dolën protestuan sepse e kuptuan që ne po protestonim jo për të marrë diçka në këmbim por thjesht sepse atje cenoheshin interesat tona. Ishim të prekur drejtpërsëdrejti, ndaj ne duhej që ta mbronim interesin tonë me argumente dhe me fakte, ashtu siç edhe ju ishit prezent. Me thënë të drejtën, sinqerisht ishin ditë shumë të vështira. Nuk e prisja kurrë se do isha i burgosur e që do përjetoja atë tmerr që do përjetoja.”- ushpre ai për mediat.
Çfarë ndodhi në Këshillin Bashkiak Pogradec në mbledhjen e 10 nëntorit
Në mbledhje u miratua vendimi që toka kullotësore në fshatin Cërrave me sipërfaqe 34.660 ha të jepet me qira për panele diellore. Këshillatarët miratuan me 20 vota pro këtë vendim, ndërsa banorët e kundërshtuan dhe në sallë shpërthyen debate deri në dhunë fizike. Njëri prej këshilltarëve, Ëngjëll Shyti, u ngrit nga tavolina dhe u konfrontuar fizikisht me Kevi Muçllarin. Ky i fundit u shpreh se këshilltari e ka kërcënuar për atë që ai ka thënë në sallën e mbledhjes, ndërsa autoritetet njoftuan se Muçollari fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe më pas ka goditur me grusht Shytin. 27-vjeçari u arrestua për "goditje për shkak të detyrës".
Banorët e fshatit Cerrave u mblodhën para komisariatit të policisë në Pogradec dhe kërkuan lirimin e bashkëfshatarit të tyre, Kevi Muçllari, i cili u arrestua pas konfrontimit fizik që pati me anëtarin Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Engjëll Shyti. Sipas tyre 27-vjeçari u arrestua padrejtësisht.
Prej disa kohësh banorët e fshatit Cërrave janë ngritur në protesta të vazhdueshme kundër dhënies me qira të sipërfaqeve kullotësore në fshatin e tyre. Fshati Cërrave pjesën më të madhe të ekonomisë e orienton tek blektoria ndërsa banorët nëpërmjet kësaj vendimmarrje nuk dihet se si do të veprojnë pasi më herët ishin shprehur kundër saj dhe në mbrojtje të kullotave të fshatit./ZËRI


