SHKODËR- Personi që shihni në foto është 55-vjeçari Hysni Ymeri, i cili mbeti i vrarë mesditën e djeshme pas një shpërthimi në hyrje të pallatit ku jetonte, në Shkodër. Sapo viktima ka mbërritur në hyrje të pallatit ka ndodhur shpërthimi, ku fillimisht dyshohej se ishte lëndë eksplozive, ndërsa më pas rezultoi se shkak ishte bërë shpërthimi i boksit të matësve të pallatit.
Aktualisht, hetuesit janë përqëndruar në dy pista, aksidentale dhe ajo për hakmarrje, megjithëse pritet që ekspertizë të përcaktojë shkakun e saktë të ngjarjes.
Por kush ishte viktima, Hysni Ymeri?
Hysni Ymeri është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër. Në vitin 1995 në Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i Hysni Ymerit. Por, disa vite më vonë, dy familjet kishin arritur pajtimin.
Ndërkohë disa vite më pas sipas burimeve dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit. Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës.
Historia e dhunës në familjen Ymeri përfshin incidente të tjera të lidhura me vrasje në vitet e fundit. Disa vite më parë djali i xhaxhait i Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetveten. Ndërkohë një kushëri tjetër, shtetasi Dritan Ymeri vrau në 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër pas një konflikti pronësie.
Megjithatë, ngjarja mbetet ende e paqartë edhe një ditë pas ngjarjes./ZËRI


