
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një sqarim lidhur me rolin e viktimës së djeshme, Alfred Dedja në kompleksin "Golden". Sipas SPAK, viktima nuk ka asnjë lidhje dhe nuk rezulton të ketë punuar në kompleksin e Hajrit gjatë kohës që është marrë peng dhe vrarë Jani Prenga. Po në sqarimin e SPAK theksohet se Dedja nuk ka qenë dëshimtar dhe as nuk ka lidhje me ngjarjen e ndodhur në janar të vitit 2020.
"Emri i tij nuk rezulton të ketë qënë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden“, në Shijak, pronësi e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit,"-sqaron SPAK.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hedh poshtë deklaratat e pavërteta që e lidhin A.D, viktimën e krimit të kryer mbrëmë në Ndroq me një ngjarje që daton në vitin 2020, e cila hetohet prej saj. Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr.60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, A.D nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në Janar të vitit 2020. Emri i tij nuk rezulton të ketë qënë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden“, në Shijak, pronësi e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.
I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi “arrest me burg” në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin “Golden”. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të policisë, si organi përgjegjes për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri.
Mesditën e sotme, kreu i Partisë Demokratike,Sali Berisha komentoi vrasjen e djeshme në Ndroq, ku u ekzekutua për vdekje me armë zjarri Alfred Dedja. Në fjalën e tij, në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se i ekzekutuari është dëshmitar në vrasjen e Jani Prengës. Por ky pretendimu rrëzua nga SPAK./ZËRI