LONDËR- Janë publikuar detaje të reja rreth jetës së Ruben Saraivës, vrasësit me pagesë të biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u dënua nga Gjykata e Lezhës me burgim të përjetshëm. Sipas një artikulli të Daily Mail, Ruben Saraiva, i rritur në rrethinat e qeta të Londrës u kthye nga një djalë i qetë në një vrasës me pagesë për një familje kriminale shqiptare në Angli.
Sipas Daily Mail, Saraiva ka dhënë një intervistë ekskluzive për median britanike, ku ai ankohej për kushtet.
“Ai u ankua se ishte 'e papranueshme' që mbahet në izolim, 'i mbyllur 23 orë në ditë' dhe që tre roje e shoqërojnë në dush, duke pretenduar: 'Të drejtat e mia janë shkelur gjithmonë' që kur kam ardhur këtu, dreqin”, thuhet në artikull.
Ndërsa, më tej, po sipas gazetës, Saraiva tha se “nuk e di pse mbahet ende në siguri maksimale pas më shumë se dy vitesh në paraburgim, duke këmbëngulur se kishte vërtetuar se “nuk përbën kërcënim” dhe dyshon se autoritetet duan ta “thyejnë””.
Më tej, thuhet se kjo deklaratë ka marrë një një kthesë të jashtëzakonshme, pasi vrasësi mund të jetë bërë një shënjestër. Në gazetën britanike, shkruhet se një burim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë ka deklaruar për ta se Saraiva kërkon mbrojtje të rreptë, sepse ka marrë informacione se figurat e errëta të Mbretërisë së Bashkuar që financuan vrasjen e Nikulajt tani kanë vënë një shpërblim prej 500,000 euro për kokën e Saraivës, për të eliminuar rrezikun që ai të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
Artikulli i Daily Mail:
Saraiva, djali i dy prindërve portugezë, të dy njerëz të sjellshëm dhe punëtorë, thonë se janë të habitur nga ajo që i ndodhi djalit të tyre.
“Ne jemi njerëz të mirë, ne nuk jemi kriminelë. Edhe Rubeni është i tillë. Ai është një djalë fantastik. Ne jemi të shtangur”, kanë deklaruar disa burime familjare për Daily Mail.
Saraiva u zhvendos nga Portugalia në Mbretërinë e Bashkuar me të atin kur ishte katër vjeç. Kur nëna e tij erdhi në Mbretërinë e Bashkuar katër vjet më vonë, ai jetonte midis babait të tij, i cili rrinte në periferi të Reading, Berkshire, dhe nënës së tij që u vendos në Leëisham, në juglindje të Londrës.
Fotot e siguruara nga Daily Mail shfaqin Saraivës në rininë e tij të veshur me kostum dhe kravatë.
“Ai është një djalë shumë i qetë dhe miqësor”, deklaruan disa të afërm.
Sipas gazetës britanike, kur Saraiva ishte fëmijë, ai madje nuk dilte as në rrugë pa lejen e nënës së tij.
Në moshën 17 vjeç, ai dhe një bashkëpunëtor i tij u kapën duke shitur kokainë dhe heroinë me një vlerë rruge prej më shumë se 600 paundësh në Ëokingham. Saraiva mori një dënim me kusht në Gjykatën e Reading në vitin 2013 dhe më pas u kthye për të jetuar me nënën e tij. Pas dënimit ai ndoqi kurse ndërtimi dhe elektricisti, si dhe filloi një praktikë pune, por ai u rikthye shumë shpejt në telashe pasi goditi me thikë një 17-vjeçar gjatë një sherri.
Familja e tij deklaroi se Saraiva bëri burg disa vite, pasi u dënua për plagosje me dashje, dhe ata besojnë se gjatë kohës që ishte pas hekurave ai pati kontaktin e parë me botën e krimit shqiptar.
“Ne nuk dinim që ai kishte miq shqiptarë. Miqtë e tij ishin anglezë”, u shprehën burime të afërta me familjen e Saraivës.
Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm portugezin Ruben Saraiva, të akuzuar si ekzekutor i biznesmenit Ardian Nikulaj. Ai u shpall fajtor për “vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”, si dhe për “mbajtje pa leje të armëve”.ZËRI

